14-vjeçarit të cilit dyshohet se e mbyti me thikë bashkëmoshatarin e tij ditë më parë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, i është vendosur masa e lënies në burg.
Hetuesit e policisë kanë sekuestruar kamerat e lokaleve në rrugën ku ndodhi vrasja, për të zbardhur sa më shumë ngjarjen, raporton Top Channel.
Dyshimet janë se autori është larguar duke vrapuar, pasi ka therur me thikë dy bashkëmoshatarët e tij.
Gjithashtu dyshohet se kishte persona të tjerë që të miturin e kanë marrë, dhe e kanë larguar nga vendi i ngjarjes, pasi ai ishte lënduar dhe më pas u dërgua në spital privat për mjekim.
Vrasja e nxënësit të klasës së nëntë ndodhi 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet. Pas një konflikti mes adoleshentëve, mbeti i vrarë Martin Cani, ku gjithashtu u ther edhe shoku i tij, i cili gjendet ende në spital.