Vrasjet që tronditën Kosovën

Vrasjet që tronditën Kosovën

Nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur 154 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërkaq 75 si vrasje, shkruan Gazeta “Enigma”.

Policia e Kosovës në përgjigje me shkrim për Gazetën Enigma ka bërë të ditur se nga janari deri në gusht të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 19 vrasje, prej të cilave 7 janë cilësuar si vrasje, kurse 12 si vrasje të rënda.

Sipas statistikave të PK-së në vitin 2016 janë kryer 14 vrasje sipas Nenit 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin vit pra 2016, janë kryer 16 vrasje të rënda sipas Nenit 179 Kodit Penal.

Në vitin 2017, sipas statistikave të Policisë së Kosovës ,kanë ndodhur 12 raste të vrasjes, sipas Nenit 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërkaq kanë ndodhur po ashtu edhe 12 vrasje të rënda sipas Nenit 179 të këtij Kodi.

Sipas Policisë së Kosovës më së shumti raste të vrasjeve brenda këtyre pesë viteve, në bazë të Nenit 178 të Kodit Penal të RKS-së, kanë ndodhur gjatë vitit 2018, ku janë regjistruar 22 raste të cilësuara si vrasje, ndërkaq po në këtë vit kanë ndodhur 12 vrasje të rënda.

Në vitin 2019, kanë ndodhur 8 vrasje dhe 12 vrasje të rënda.

Ndërkaq, në vitin 2020 në Kosovë kanë ndodhur 15 vrasje të rënda dhe 12 vrasje.

Kurse deri në gusht të vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur 12 vrasje të rënda dhe 7 vrasje.

Disa prej vrasjeve që kanë tronditur Kosovën këtë vit:

Vrasja e fundit që ka ndodhur në vendin tonë është ajo e së hënës mbrëma në qytetin e Gjilanit, ku nga arma e zjarrit mbeti i vdekur E.R, në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen “Arbëria” të këtij qyteti.

Deri më tani për këtë vrasje janë arrestuar pesë të dyshuar, për të cilët prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Vrasja e Marigona Osmani, 18-vjeçarja nga Ferizaj

Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, ndërkaq u bë e ditur më vonë se Marigona ishte torturuar dy ditë me radhë fizikisht e psiqikisht, deri në vdekje.

Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Marigonës iu dha lamtumira e fundit më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt, teksa dy të dyshuarit gjenden në paraburgim.

Varrimi i viktimës, Marigona Osmani, 18-vjeçarja nga Ferizaj

Vrasja e dyfishtë në Pejë, mbesin të vdekur dy zyrtarë të PDK-së

Më 8 shtator si pasojë e të shtënave me armë zjarrin pas një konflikti metën të vrarë kandidati për kryetar të Komunës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i Astrit Ademaj, Avni Ademaj.

Avni Ademaj dyshohet se e privoi nga jeta tani të ndjerin Blerand Kadrijaj.

LEXO EDHE: Tragjedi në Pejë – Si erdhi deri te vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së

Ish-bashkëshorti vrau gruan dhe bëri vetëvrasje në Emshir të Prishtinës

Një femër e moshës 44 vjeçare dhe një mashkull  44 vjeçar, më 13 mars rreth orës 09:00 u gjetën pa shenja jete në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se bëhej fjalë për vrasje dhe vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast, ndërsa me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.

Në lidhje me këtë rast të rëndë nuk ishin bërë të ditura më shumë detaje, e as motive të vrasjes.

Vrasja e 26-vjeçarit në Klinë

Në qershor të këtij viti. Valentin Balaj 26-vjeçar është vrarë në Klinë. Sipas familjes së tij, dorasi është vëllai i vajzës me të cilën një nga vëllezërit ishte në lidhje dashurie për dy vite.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, kishte bërë të ditur se i dyshuari i vrasjes së 26-vjeçarit është ndaluar dhe ndaj të njëjtit do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person është privuar nga jeta. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obdukim. Një person i dyshuar për këtë rast është arrestuar, me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit prokurori i shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.

Ndërsa, policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole me katër fishekë.

Foto nga vendi i ngjarjes

Vrasja e Albert Krasniqit nga babai i tij në Prishtinë

Kryeqyteti është tronditur edhe nga një tjetër vrasje në janar të këtij viti.

Në rrugën “Ndue Perlleshi”, nga arma e zjarrit të cilën dyshohet se shkrepi babai i tij ka mbetur i vrarë Albert Krasniqi.

Krasniqi i cili ishte biznesmen i njohur në Prishtinë, dyshohej se u vra nga babai i tij, Skender Krasniqi.

Nga Policia e Kosovës, kanë konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar për vrasje, ndërsa kanë konfiskuar edhe një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast

Për vrasjen e Albert Krasniqit kanë reaguar edhe shumë artistë, kjo pasi që Krasniqi kohë më parë ishte anëtari i labelit, Babastars.

Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun edhe për martesën e tij me ish-miss Kosova, Besa Gashi, martesë kjo e cila raportohet të ketë përfunduar para disa ditësh. Krasniqi dhe Gashi nga martesa e tyre kanë një vajzë./Gazeta Enigma/

Related Articles