Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se deklaratat e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradnaj, se “Beogradi do të bombardohet nëse vetëm një ushtar serb hyn në Kosovë”, janë “marrëzi dhe të pakuptimta”.
“Ai dëshiron të na bombardojë neve apo dikush tjetër”, tha Vuçiq, raporton Danas, transmeton Gazeta Enigma.
Ai theksoi se Serbia do të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe se, sipas tij, “forca e Serbisë është ushtria, e cila do të jetë vetëm më e fortë”.
Kujtojmë se se ditën e djeshme kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka analogji mes luftës së Kosovës dhe asaj në Ukrainë.
Haradinaj ka thënë se megjithatë sheh një mosreagim të bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç ishin vonuar për të ndërhyrë në Kosovë.
I pari i AAK-së thotë se Rusia ka ndikim në disa pjesë të Ballkanit por, sipas tij, s’ka fare prezencë në Kosovë.
Haradinaj, në “RTV Dukagjini”, thotë se Vuçiq dhe Serbia nuk kanë guxim në këtë kohë të ndërhyjnë në veri për shkak të garancisë ndërkombëtare.
“Nëse do të ndodhte kjo, e gjithë bota do ta dinte se Vuçiq po e bën këtë për shërbim të Rusisë. Nëse nuk po kanë mundësi se si me ia gjetë zgjidhjen Rusisë, perëndimi është bukur i zoti me ia gjetë zgjidhjen Serbisë, pasi këtë e kanë bërë edhe një herë në vitin 1999”, tha ai.
“E di që amerikanët nuk lejojnë asnjë ushtar serb të shkelë në territorin e Kosovës. E di që bombardohet Beogradi nëse ndodh diçka e tillë, sikur në vitin 1999. Këtë e di lidershipi i Serbisë mjaft mirë. Po kaloi një oficer i Serbisë në territorin e Kosovës, do të bombardohet Beogradi, jo ndonjë territor tjetër”, tregoi Haradinaj.
“Ne duhet të bëjmë punët tona. Por, Serbia e di se Kosova është zonë e përgjegjësisë së Amerikës, Britanisë e tjerëve”, deklaroi Haradinaj./Gazeta Enigma/