Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar duke thënë se do shtohet numri i shteteve që do e tërheqin njohjen diplomatike të Kosovës.
Ai po ashtu është shprehur se është i dëshpëruar me Greqinë, nën vazhdën e raportimeve se ky shtet do e njeh Kosovën.
Vuçiq, në intervistë për B92, nuk ka lënë pa përmendur as presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e as kryeministrin Albin Kurti, duke i quajtur si “skifterë të mëdhenj shqiptarë”.
“Por skifterët e politikës së Madhe Shqiptare erdhën në pushtet, duke shijuar simpatitë e mëdha të Perëndimit, veçanërisht Gjermanisë, jo aq shumë të Amerikës, sepse ata e shohin Ministrin e Punëve të Jashtme në Prishtinë si të tyren. Osmani është një studente amerikane, Kurti është i martuar për një norvegjez. Këta janë skifterët shqiptarë, që disa i paraqesin si njerëz të mirë”, ka deklaruar ai.
Tutje, Vuçiq ka paralajmëruar se shumë vende do t’a tërheqin njohjen ndaj Kosovës.
“Do ta shihni se sa vende do ta tërheqin njohjen [ndaj Kosovës]. Dhe pastaj do të shihni se si një Serbi e vogël po lufton si “miu në qoshe”, siç thotë një doktrinë britanike, ne do të luftojmë ashtu siç dimë”, ka kërcënuar Vuçiq.
“Është e rëndësishme për ne që të mos ketë panik për Serbinë, ne e dinim që kështu do të ndodhte. Së pari, ata krijuan një zyrë për marrëdhënie tregtare kur shqiptarët futën taksa të paligjshme, dhe pastaj të premten në pesë pasdite u informuam nga Greqia se ata do të përmirësonin më tej bashkëpunimin”, ka deklaruar tutje ai.