Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas votimit në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë, foli edhe për zhvillimet në Republikën e Kosovës, ku Kuvendi miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi brenda vendit.
Siç raporton N1, Vuçiq tha se serbët nga Kosova “treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë” dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.
Vuçiqi s’është ndarë i kënaqur as me vendet e QUINT-it dhe vendosmërinë e tyre për ta bindur Qeverinë e Kosovës që ta lejojë mbajtjen e këtij referendumi.
Ai pati qasje kritike ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermaniës dhe Italisë.
“Nga to nuk mund të dëgjohen kritika apo sanksione ndaj Prishtinës për ndalimin e votimit në referendum”, tha Vuçiq.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën e kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë.
Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Ekzekutivi i përballoi edhe kundërshtimeve nga shtetet e QUINT-it, që në një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, kërkuan që të lejohet mbajtja e referendumit. / Gazeta Enigma.