Ministrat e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Spanjës, Aleksandar Vulin dhe Fernando Grande-Marlaska Gomes, janë takuar të enjten në Madrid për zhvillimin e bashkëpunimit, veçanërisht në trajnime, shkëmbimin e informacionit dhe shtypjen e krimit kibernetik, dhe Vulin u foli gjithashtu gazetarëve për Kosovën.
Vulin falënderoi Qeverinë dhe qytetarët e Spanjës për, siç tha “qëndrimin e vendosur dhe parimor” për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Zëri i Spanjës do të thotë shumë për ne. Aty ku dëgjohet, ne e dimë që kemi zërin e një miku. Spanja dhe Serbia janë vende të largëta dhe të ndryshme në shumë mënyra, por ne jemi dakord për një gjë dhe jemi të njëjtë: ne e dimë se çfarë është separatizmi i keq, ne e dimë se vetëm respektimi i ligjit ndërkombëtar garanton paqe të qëndrueshme”, tha Vulin.
“Askush nuk kërkoi një referendum, ne thjesht u bombarduam. Unë besoj se mënyra e vetme për të ruajtur paqen është respektimi i pakushtëzuar i ligjit ndërkombëtar”, deklaroi ai.
Ai tha se “e drejta ndërkombëtare përcakton qartë se si shtetet krijohen dhe si ato pushojnë së ekzistuari”.
“Kur bëhet fjalë për vendin tim, askush nuk pyeti për të drejtën ndërkombëtare, ne kishim një forcë të egër në fund të shekullit të 20-të”, shtoi ministi serb, shkruan Danas, transmeton Gazeta Enigma.