Zëri i injoruar i Kosovës kundër draftstatutit të Asociacionit

Zëri i injoruar i Kosovës kundër draftstatutit të Asociacionit

Në Bruksel nuk është dëgjuar kritika që autoritetet kosovare i kanë bërë deklaratës së emisarit Lajçak, sipas të cilit draftstatuti për Asociacionin, i hartuar nga Ekipi menaxhues, duhet të shërbejë si bazë për diskutime. Të njëjtin qëndrim me Lajçakun ka shprehur të mërkurën edhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi. E, në Qeveri kanë thënë se vizioni i kryeministrit Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve pritet të diskutohet në takim me Lajçakun, i cili të enjten viziton Kosovën

Qeveria ka shprehur pritjen që vizioni i kryeministrit Albin Kurti për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës, bazuar në modelin kroat, të diskutohet në takim me emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, i cili të enjten do ta vizitojë Prishtinën.

Para disa ditësh, Lajçak deklaroi se bazë për diskutimet e mëtejme rreth Asociacionit duhet të jetë drafti i Ekipit menaxhues, e i cili përpos që parasheh kompetenca ekzekutive për këtë trupë, ka përfshirë edhe të drejtën e referendumit dhe organizimit të zgjedhjeve.

Kjo deklaratë nxiti reagime tek institucionet e Kosovës. Në Qeveri theksuan se një zgjidhje që parasheh krijimin e “Republika Sërpska” në Kosovë nuk mund të shërbejë si bazë për bisedime, ndërkaq kryeparlamentari Glauk Konjufca përmendi edhe mundësinë e braktisjes së dialogut, nëse qëllimi i procesit është që t’i lëkundë themelet e shtetit.

Por këto shqetësime nuk janë dëgjuar më Bruksel.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, e ka përsëritur të mërkurën se udhërrëfyes për diskutime të mëtejme duhet të jetë draftstatuti i prezantuar nga Ekipi menaxhues.

“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Siç ka nënvizuar përfaqësuesi i posaçëm për dialog (Miroslav Lajçak), draftpropozimi i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi menaxhues është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit”, ka thënë Varhelyi në seancën e Parlamentit Evropian, gjatë diskutimit për Kosovën.

Por, në Prishtinë është shprehur kundërshti në raport me kërkesën që kanë shprehur autoritetet e BE-së.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një takim me Këshillin e ambasadorëve amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit, ka thënë të merkurën se Kosova nuk do të pranojë modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, është cituar Konjufca, në një njoftim që mediave ua ka përcjellë Kuvendi.

Edhe në zyrën e kryeministrit e kanë përsëritur se draftstatuti i Ekipit menaxhues ia hap rrugën një Republike serbe në Kosovë. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se zyrtarët e BE-së nuk e kanë komentuar vizionin e kryeministrit në takimin e javës së kaluar.

“Drafti i prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel është fundamentalisht kundër Kushtetutës, kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, demokracisë, vlerave evropiane, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave sipas standardeve evropiane. Ai draft paraqet haptazi dëshirën për një Republikë Sërpska në Kosovë. Si mundet Republika Sërpska të jetë bazë ose pikënisje për diskutime të mëtejme? Për Ballkanin Perëndimor një RS është tepër, e lëre më dy”, ka thënë Kryeziu. “Megjithatë, zyrtarët e BE-së nuk e kanë komentuar vizionin e kryeministrit në takimin e javës së kaluar. Nesër, kryeministri Kurti pret në takim emisarin Lajçak, me të cilin do të diskutohet edhe për rrugën përpara dhe për takimin e radhës në Bruksel”.

Gatishmëria e Kosovës për modelin kroat

Javën e shkuar, kryeministri Kurti ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazike, i cili bazohet në modelin që Kroacia e aplikon për serbët. Përpos që në të theksohet se Asociacioni duhet të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, sipas tij, ai duhet t’u ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi.

Zëdhënësi Kryeziu ka thënë se ky propozim mundëson që të ndërtohet diçka e re, e drejtë dhe e dobishme për të gjithë.

“Kroacia është shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s. Me Kroacinë ndajmë një të kaluar të përbashkët me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërkohë që si shtet aspirojmë të jemi anëtare edhe e BE-së edhe e NATO-s. Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj edhe besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, ka potencuar zëdhënësi i Qeverisë për Kohën.

Ai ka shtuar se, dokumenti udhërrëfyes për zbatim është vetë neni 7 i Marrëveshjes bazike, i cili parasheh një rregullim të bazuar në Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”, thotë neni, të cilit i është referuar Kryeziu.

Gatishmërinë që Kosova të ofrojë modele të tjera rreth Asociacionit e ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmanit. Sipas saj, grupe ekspertësh po punojnë tash e një kohë të gjatë që dhjetë parimet e propozuara si draftvizion më 2 maj në Bruksel të bëhen dispozita konkrete kushtetuese dhe ligjore.

“Kemi shumë grupe ekspertësh që po punojnë tashmë një kohë të gjatë, për t’u siguruar që Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe sistemet më të mira evropiane, të cilat përmenden si instrumente të Këshillit të Evropës, të jenë të studiuara në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që këto dhjetë parime që u propozuan më 2 maj të bëhen dispozita konkrete ndërkohë”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Atlantic Council”. “Kosova është e gatshme t’i ofrojë të gjitha këto modele për t’u siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë komunitetet pakicë, të ndihen të sigurt dhe të përfshirë dhe të kenë një mbrojtje të theksuar të të drejtave të tyre njerëzore dhe të pakicave”.

Si funksionon Këshilli Nacional i Serbëve në Kroaci?

Vizioni i prezantuar nga kryeministri Kurti bazohet në modelin e Këshillit Nacional të Serbëve në Kroaci (SNV). Sipas faqes zyrtare, Këshilli Kombëtar Serb (KNS) “është organ politik, këshillues dhe koordinues i zgjedhur në mënyrë demokratike që vepron si vetëqeverisje e serbëve në Republikën e Kroacisë lidhur me çështjet e të drejtave të tyre civile dhe kombëtare, si dhe çështjet e identitetit, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate”.

Këshilli Kombëtar Serb është themeluar në bazë të Marrëveshjes së Erdutit dhe letrës së Qeverisë së Republikës së Kroacisë për përfundimin e riintegrimit paqësor të zonave të populluara me shumicë serb.

Pas miratimit të Ligjit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, u ndryshua edhe struktura organizative e këshillave të pakicave etnike. Anëtarët e këshillave zgjidhen me votim të fshehtë, në zgjedhjet që organizon shteti kroat, në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku popullsia serbe e kalon pragun prej 1,5 për qind.

Deri tash janë mbajtur katër palë zgjedhje – në vitet 2003, 2007, 2011 dhe 2015.

Në nivel komunal, këshilli zgjidhet nëse në atë pjesë jetojnë së paku 200 anëtarë të komunitetit serb. Në nivel qarku ky numër arrin në 500. Në rastin kur janë të paktën 100 anëtarë, zgjidhet një përfaqësues i këshillit.

Rrjeti i Këshillit Kombëtar Serb përbëhet nga 144 këshilla me gjithsej 1744 këshilltarë.

Çfarë kërkoi Ekipi menaxhues?

Ekipi menaxhues, i përbërë nga anëtarë serbë, prezantoi më 2 maj në Bruksel një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai u hodh poshtë nga institucionet e Kosovës, nën arsyetimin se përmbajtja e tij ishte antikushtetuese.

Drafti ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj. Në të Asociacionit i janë përshkruar kompetenca, si: të miratojë vendime të Kuvendit e rregullore; ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve; t’i rregullojë zgjedhjet; të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike; të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore; të propozojë referendume; të vendosë për huamarrjen financiare; të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor; të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare; dhe ta mbikëqyrë punën e tyre.

Draftstatuti gjithashtu parashikon që Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, t’i mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

Neni 15 përshkruan se si Asociacioni do të bëjë një përmbledhje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, kujdesit shëndetësor, mirëqenies sociale dhe planifikimit urban dhe rural.

Draftstatuti gjithashtu parasheh që Asociacioni ta emërojë komandantin rajonal të Policisë për katër komunat në veri.

Bazuar në të, Kuvendi i Asociacionit mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të Asociacionit.

Disa orë pas prezantimit të draftstatutit me këtë përmbajtje, përbërja e Ekipit menaxhues është shkarkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Related Articles