Që nga 4 shtatori i vitit 2020, kur në Shtëpinë e Bardhë u sigurua njohja nga Izraeli, vazhdon të mbetet 117 numri i shteteve që pranojnë Kosovën shtet. Nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë folur për mungesën e njohjeve.
E, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë vlerësojnë se për njohje të reja duhet më shumë punë dhe një strategji e mirëfilltë.
Zero njohje të reja të pavarësisë së Kosovës është rezultati i punës që mund të ketë bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera shtetërore, gjatë vitit 2022. Radio Kosova ka pyetur MPJ-në se cilat janë arsyet e mungesë së njohjeve dhe nëse kanë ndonjë strategji për sigurimin e njohjeve të reja, gjatë vitit 2023. Përkundër insistimit dhe pritjes më shumë se një javore, përgjigjet nga kjo ministri kanë munguar.
Duke komentuar faktin e mungesës së njohjeve të reja, profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar, Valon Murtezaj, thotë se institucionet duhet të punojnë më shumë e të kenë strategji të mirëfillta.
“Nuk kemi vërejtur që diplomacia aktuale e Kosovës ka pasur ndonjë strategji të qartë për të rritur numrin e njohjeve. Për Kosovën është shumë e rëndësishme njohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, thotë Murtezaj për Radio Kosovën. “Për këtë duhet një strategji e veçantë dhe një komunikimi i përditshëm dhe i mençur me të gjitha këto shtete dhe vende të tjera, që te këto mund të kenë ndikim që të njëjtat ta njohin pavarësinë e shteti tonë”, thotë Murtezaj.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, po ashtu thotë se sigurimi i njohjeve është mjaft sfidues. Një përqindje e mos-suksesit në procesin e njohjeve i përket qeverisë, thotë tuje ai, tek sa jep arsyet kryesore të mungesës së njohjeve.
“Në shërbimin e jashtëm kemi mungesë të kapaciteteve dhe mungesë të veprimeve, e si rezultat kemi këtë ngecje. Edhe pse unë dua të besoj se problematika më e madhe sa i përket njohjeve, ndërlidhet me çështjen e mungesës së progresit në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Hoti për Radio Kosovën.
Kjo ka bërë që shtet të caktuara të çimentojnë pozicionet e tyre dhe të presin epilogun e bisedimeve, në mënyrë që më pastaj të marrin vendimet përkatëse”, thotë ai.
Profesorët Hoti e Murtezaj vlerësojnë se çështja e njohjeve duhet të jetë prioriteti numër një i MPJD-së.
Izraeli është shteti i fundit që ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Njohja nga ky shtet ishte siguruar nga ish kryeministri Avdullah Hoti dhe ish presidenti i ShBA-së Donald Trampi, në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator 2020, në prani edhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Tri shtetet e tjera që para Izraelit kishin pranuar mëvetësinë e Kosovës janë: Madagaskari, Barbadosi dhe Bangladeshi.