Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se nuk është hera e parë që dy të burgosur janë larguar nga burgjet, duke folur për largimin dhe ikjen e dy të burgosurve së fundmi.
Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se të dy të burgosurit që janë larguar, ishin të integruar dhe se ishin pjesë e institucioneve korrektuese të hapura, për shkak se thuhet se personat në fjalë llogariten si në fazën më të avancuar të vuajtjes së dënimit.
“Kur kapen personat e tillë më nuk janë në shërbimin korrektues të tipit të hapur, por të mbyllur. Atyre u shtohet edhe një vepër penale tjetër”.
“Që nga orët e hershme të mëngjesit Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë gjendet në vendin e ngjarjes duke kryer inspektimet. Në këtë drejtim sapo të pranojmë raportin e Inspektoratit në përputhje me rekomandimet e tyre do të merren veprime adekuate”, ka thënë Sallahu.