Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka telefonuar komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari, për ta pyetur në lidhje për situatën në Kosovë.
Telefonata vjen pas tensioneve që u ngritën në veri të vendit, për reciprocitetin që vendosi qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftimet dhe targat.
“Bisedova me komandantin e NATO-s, Ferenc Kajari për situatën në Kosovë”, ka shkruar Geoana në Twitter.
“KFOR-i po monitoron nga afër dhe mbetet i përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës, bazuar në mandatin e OKB-së”, shtoi ai.
Geoana përsëriti qëndrimin e KFOR-it për intervenim nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovës.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999. Misioni ynë i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”.