“Zgjedhje pa fitues” – Çka ndodhi në garën e balotazhit?

“Zgjedhje pa fitues” – Çka ndodhi në garën e balotazhit?

Në Kosovë, më 9  nëntor, u mbajt balotazhi për zgjedhjet komunale, ku në total 18 komuna zgjodhën udhëheqësit e rinj ose vazhduan me po të njëjtit që qeverisën në katër vitet e fundit, shkruan Gazeta Enigma. Njohësit e çështjeve politike thonë se asnjëra parti s’mund të konsiderohet fituese absolute e zgjedhjeve, teksa pati befasi në disa komuna.

Procesi u zhvillua me sukses, me disa incidente të vogla që u menaxhuan. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi rezultatet preliminare në një kohë rekord, me uebsajtin e institucionit që ishte i qasshëm në çdo çast për qytetarët, pa ndonjë problem.

Kush ku fitoi?

Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LDK i fitoi pesë komuna, LVV dhe AAK nga katër komuna, PDK tri komuna, Lista Serbe dhe  Partia turke KDTP nga një komunë.

Partitë i fituan këto komuna në balotazh:

LDK: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik

LVV: Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Obiliq

AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec

PDK: Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik

LISTA SERBE: Kllokot

Partia turke KDTP: Mamushë

Ku ishte gara më e ngushtë?

Në Prishtinë, aty ku fituese ishte vështirë të parashikohej, Përparim Rama i LDK-së triumfoi ndaj Hajrulla Çekut të LVV-së, me një diferencë prej 1,055 votash.

Rama ka 51.44 përqind, ndërsa Çeku 48.56 përqind.

Në Mitrovicë, Faton Peci i LVV-së i la sërish në hije parashikimet e Exit Polleve, të cilat parashikuan fitoren e Arian Tahirit.

Megjithatë, rezultatet e KQZ-së tregojnë se Peci fitoi me 53.47 përqind të votave, ndërsa Tahiri mori 46.53 përqind.

Garë tejet e ngushtë edhe në Vushtrri – atje, Sokol Haliti i LDK-së “shpëtoi” me një diferencë prej 197 votash. Haliti i LDK-së mori 50.60 përqind, ndërsa Arsim Ademi i LVV-së mori 49.40 përqind të votave.

Në Obiliq, Halil Thaçi i LVV-së mori 51.09 përqind të votave, ndërsa Xhafer Gashi i LDK-së 48.91 përqind. Ky i fundit, shkaku i humbjes, dha dorëheqje nga ta gjitha funksionet e partisë.

Edhe në Kaçanik, Jeton Raka i LVV-së iu afrua goxha si shumë Sabedin Vishit të PDK-së. Raka mori 48.14 përqind të votave, ndërsa Vishi 51.86 përqind. Në total, 542 vota diferencë.

Bastioni që u thye pas 25 vjetësh

Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza i LVV-së arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke triumfuar ndaj Besnik Osmanit të LDK-së, parti kjo që udhëheq në këtë komunë tash e 25 vjet. Është hera e parë që nga paslufta, që një parti tjetër përpos LDK-së, do të udhëheq në këtë komuna..

Prebreza fitoi 54.99 përqind të votave, ndërsa Osmani 45.01 përqind të votave.

“Skena politike në Kosovë tani është tripolare”

Njohësi i çështjeve politike, Valdet Hoxha, thotë për Gazetën Enigma se parti të ndryshme fituan në këto zgjedhje, nëse analizohet nga perspektiva të ndryshme.

“Nëse e shohim nga komunat sa i përket numrit të banorëve, Lidhja Demokratike del të jetë fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, sepse qeverisë në 7 komuna me gjithsej mbi 550 mijë banorë. Pastaj renditet PDK dhe LVV në këtë aspekt. Sa i përket numrit të komunave, vendin e parë e ndajnë LDK dhe LVV. Pra ka shumë dimensione, por perceptimi i përgjithshëm tani është se skena politike në Kosovë është tripolare dhe zgjedhjet e përgjithshme do jenë interesante, andaj unë pres që tëketë koalicione parazgjedhore dhe do ketë dy kampe kundërshtare në kuptimin politik. Prandaj, vërtetë ishin interesante”, thotë Hoxha për “Enigmën”.

Sa i përket befasive nga balotazhi, Hoxha thotë se janë humbjet e LDK-së në Fushë Kosovë dhe Obiliq, ani se janë shumë afër Prishtinës, komunë kjo ku në fakt fitoi LDK-ja.

“Në Mitrovicë ka qenë vështirë i parashikueshëm rezultati, por bazuar në vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë të Qeverisë e vetë kryeministrit Kurti, ka qenë e pritshme që t’i jepte mbështetje për fitore zotit Peci. Ka qenë e prishmë që të fitojëRama për shumë arsye, ndër to edhe për faktin se qytetarët presin që projektet e filluara nga Rama në mandatin e parë, tëpërfundojnë në të dytin”, deklaroi Hoxha.

“Nuk pati fitues”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se në këto zgjedhje nuk pati ndonjë fitues të veçantë, pasi rezultati është proporcional sa i përket numrit të komunave të fituara.

“Më befasuese dhe më interesante ishte Mitrovica dhe FushëKosova. Në Mitrovicë ka pasur një betejë të ngushtë mes LVV-së dhe PDK-së, ndërkohë që në Fushë Kosovë, për rreth 20 vjet ka pasur pushtet një parti, ku fitoi LVV”, u shpreh Baraliu për Gazetën Enigma.

A duhet të ketë balotazh?

Baraliu propozon që balotazhi të hiqet si proces, pasi sipas tij, kjo merr më shumë kohë, më shumë para, si dhe rezultati i rundit të dytë nuk mund të jetë në vijë me vullnetin e shumicës.

“Në rastin e riformimit të sistemit dhe legjislacionit elektoral, si dhe teknikave elektorale, balotazhi do duhej që të rishikohej dhe të hiqet si proces. E ka humbur kuptimin, sepse shpeshherë, ata që fitojnë shumicën në rundin e parë, në balotazh po ndodhin koalicione të fshehta apo gjysmë të fshehta, po ndikojnë që të përmbyset rezultati dhe të përmbyset edhe vullneti i shumicës së qytetarëve për kandidatin përkatës. Sepse dikush ndodhë që i merr rreth 49 përqind të votave, ndërkohë që në balotazh mblidhen partitë e tjera me përqindje me të vogël dhe e përmbysin rezultatin. Kjo nuk është parimore apo korrekte dhe nuk është shprehje e mirëfilltë e vullnetit qytetar. Është thjesht anti demokratike dhe anti efektive. Është diçka që duhet trajtuar në aspektin financiar, racional dhe kohor. Është një instrument që duhet hequr. Kush të del i pari le ta marrë mandatin dhe kjo është korrekte”, propozon Baraliu.

Kur do votojnë sërish qytetarët e Kosovës?

Qytetarët në Kosovë kanë votuar tashmë tri herë këtë vit – zgjedhjet nacionale më 9 shkurt dhe dy rundet në komuna.

Tani që Glauk Konjufca është mandatuar sërish për kryeministër, pritet të shihet nëse do votohet Qeveria në krye me të apo nëse qytetarët do të dalin në kutitë e votimit për herë të katërt këtë vit. /GAZETA ENIGMA

Related Articles