Zgjedhje pa sy ndërkombëtarë: Kosova drejt humbjes së kredibilitetit të procesit zgjedhor

Zgjedhje pa sy ndërkombëtarë: Kosova drejt humbjes së kredibilitetit të procesit zgjedhor

Nën monitorim minimal ndërkombëtar, zgjedhjet e 9 shkurtit ashtu sikurse edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit të vitit që lamë pas po shoqërohen me dyshime për keqpërdorime gjatë numërimit të votave, shkruan Gazeta Enigma.

Për shkak të dyshimeve të krijuara, KQZ-ja vendosi për numërim të plotë në gjitha komunat.

Pas publikimit të rezultateve finale të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga KQZ rreth numrimit të votave, disa komuna kanë shkuar në rinumërim ku pastaj u zbardhën manipulimet e mëdha që janë bërë në Qendrat Komunale të Numërimit.

Rinumërimi i pjesshëm i votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, në disa komuna të Kosovës ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, për kandidatë që përfshijnë të gjitha partitë politike. Këto mospërputhje të votave në regjistrat përfundimtar, nuk ndryshojnë përqindjen e rezultatit të partive politike, por ndryshojnë rezultatin e kandidatëve për deputet brenda subjekteve politike.

Nga mbi 900 vendvotime në të gjithë Kosovën që shkuan në rinumërim, sipas një vendimi të KQZ-së, në komunën e Prizrenit dalin mospërputhjet më të mëdha deri tani. Pas këtij skandali e pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.

Po ashtu është vendosur që të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë. Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Tutje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar në vazhdimësi procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe do të ndërmarrë veprime për çdo dyshim për keqpërdorim të votave.

Sipas njoftimit për media thuhet se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në komunat ku ka përfunduar rinumërimi të fillojnë grumbullimin e informatave dhe provave relevante që mund të vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale lidhur me procesin zgjedhor.

“Prokurorja Pula ka kërkuar gjithashtu që edhe në komunat ku rinumërimi nuk ka përfunduar, menjëherë pas përfundimit të tij të fillohet me procesin e grumbullimit të provave të nevojshme”, thuhet në njoftim.

A po humb kredibiliteti i zgjedhjeve në Kosovë?

Njohësi i çështjeve politike Arton Muhaxheri, deklaroi se ka qenë e pritur që procesi zgjedhor të dëmtohet sepse monitorimi ka qenë i ulët.

“Me kohë kemi paralajmëruar se procesi zgjedhor mund të dëmtohet, për faktin se zgjedhjet u caktuan në një datë kur mbikëqyrja ishte dukshëm më e ulët, si ajo vendore ashtu edhe ndërkombëtare, për shkak të periudhës së festave”, theksoj ai.

Sipas tij “Sot, fatkeqësisht, jemi në një situatë ku i gjithë procesi zgjedhor po vihet seriozisht në pikëpyetje dhe mund të kontestohet në tërësi. Natyrisht, përgjegjësia kryesore bie mbi organin që i ka organizuar zgjedhjet, përkatësisht KQZ-në, e më pas përgjegjësia duhet të shpërndahet sipas hierarkisë institucionale, pa përjashtime dhe pa justifikime”, tha Muhaxheri për Enigmën.

Ndër të tjera Muhaxheri theksoi se mungesa e BE-së më 28 dhjetor në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor e ka rënduar kredibilitetin e zgjedhjeve në vend.

“Sa më shumë që procesi varet nga faktori njerëzor, aq më e madhe është mundësia e gabimeve, qoftë të qëllimshme apo të paqëllimshme. Prandaj, digjitalizimi i votimit dhe i numërimit është i domosdoshëm. Vetëm përmes një procesi të tillë mund të minimizohen gabimet dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në zgjedhje. Mungesa e monitorimit nga Bashkimi Evropian në zgjedhjet e 28 dhjetorit vetëm sa e ka rënduar më tej perceptimin për kredibilitetin e këtij procesi”, përfundoi Muhaxheri për Enigmën.

Edhe ish-diplomati Avni Arifi, potencoi se zgjedhjet po e humbin kredibilitetin dhe legjitimitetin në Kosovë.

“Po humb edhe kredibiliteti edhe legjitimiteti. Zgjedhjet në Kosovë nuk janë më instrument me ndërtu demokracinë, por, instrument me kap prej shtetit çka do që të mundët e kushdo që të mundet. Vjedhja e votës nisi me 100euro nga Kurti, abuzimi i votës ishte caktimi i datës së 28 dhjetorit dhe rroga e 13 e sanaku i hapur është refleksioni i kulturës tonë i pëlqeu dikujt apo jo. Kap çka të mundesh nga shteti”, përfundoi Arifi për Enigmën.

Juristi Emrush Thaçi, ka thënë se në Kosovë nuk ka mbetur më asgjë për t’u befasuar, pasi sipas tij, aferat janë bërë normalitet dhe përditshmëri.

Ai ka theksuar se gjithmonë është diskutuar fakti se shumë njerëz kanë hezituar të kandidojnë në parti të caktuara.

“Pikërisht kjo ka qenë arsyeja, sepse brenda llojit, brenda partisë, po ndodhin këto vjedhje”, ka deklaruar Thaçi.

“Prizreni, pa dallim partie, është prekur nga vjedhja e votave, diku më shumë e diku më pak. Unë kisha një përshtypje se ekziston një marrëveshje e brendshme partiake, brenda të gjitha partive: hajt të merremi vesh të tërhiqemi dhe t’i bartim votat aty ku ‘duhet me u bartë’”, ka thënë ai.

Rinumërimi deri tani

Skandali me votat e kandidatëve për deputetë e çoi vendin në rinumërim të plotë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyra të marrë këtë vendim për verifikim të tërësishëm të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.

Mospërputhje serioze nuk ka te top 5-shet e secilës parti. Deri tani, janë numëruar mbi 700 vendvotime, që i përkasin vendimit të parë të KQZ-së, për të vazhduar me 100% verifikim, në 2 mijë e 557 sosh. Te LVV-ja, liderit Albin Kurti iu hoqën 176 vota, ndërsa GlaukKonjufcës, Hekuran Muratit, Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës iu shtuan nga 22-130 vota. Edhe te PDK-ja pati plus vota në kandidatët më të votuar. I pari i partisë, Bedri Hamza, deri më tash ka 51 vota më shumë, ndërsa Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari kanë qindra vota shtesë.

Ndryshime ka edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, por jo fort të mëdha. Kryetari Lumir Abdixhiku ka minus 12 vota, më pak ka edhe Avdullah Hoti, ndërsa Hykmete Bajrami, Ukë Rugova dhe Doarsa Kica – Xhelili, kanë më shumë vota nga rinumërimi. Edhe te partia e Ramush Haradinajt ka pak lëvizje. Kreu i AAK-së deri tani ka 1 votë më shumë, ndërsa DautHaradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj kanë dhjetëra më shumë – veç Bekë Berishës që aktualisht ka dy më pak./GazetaEnigma/

Related Articles