Zgjedhje të dyfishta më 12 tetor – Të gjithë kundër, përpos “Vetëvendosjes”

Zgjedhje të dyfishta më 12 tetor – Të gjithë kundër, përpos “Vetëvendosjes”

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vendosur që zgjedhjet komunale të mbahen më 12 tetor 2025, pas një takimi konsultativ me partitë politike.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mundësia që në të njëjtën ditë të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, si një përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që ka paralizuar vendin që disa muaj.

Propozimi për mbajtjen e dy proceseve zgjedhore paralelisht është inicuar nga Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të fundit.

Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pavarësisht 34 tentimeve për zgjedhjen e kryetarit të tij, ndërkohë që Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti po funksionon pa legjitimitet të plotë parlamentar.

Arifi kundër zgjedhjeve të dyfishta: KQZ ka dështuar me një palë zgjedhje, çka do të ndodhte me zgjedhje të dyfishta?

Dritëro Arifi, njohës i çështjeve politike, është kundër idesë që në tetor të mbahen njëkohësisht zgjedhjet komunale dhe parlamentare në Kosovë. Ai argumenton se këto dy procese zgjedhore kanë kontekste të ndryshme dhe nuk mund të bashkohen në një datë të vetme.

“Nga aspekti teknik, jo vetëm nga ai politik, por nga aspekti teknik, nuk mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kapacitetin për të organizuar dy palë zgjedhje në të njëjtën kohë.”

Ai kujton se herën e fundit kur janë mbajtur zgjedhje nacionale me një palë, procesi ka qenë i komplikuar dhe i vonuar, me shumë ankesa.

 “Duke e parë se herën e fundit që u zhvilluan zgjedhje nacionale, u vonuan shumë dhe kishte ankesa të shumta, mendoj se organizimi i dy palëve të zgjedhjeve njëkohësisht është i pamundur dhe i panevojshëm’’, deklaroi Arifi për Front Online.

Demhasaj: Mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta e panevojshme

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe e papajtueshme me kuadrin ligjor në fuqi.

‘’Unë e shoh mjaft problematike mbajtjen e dy palë zgjedhjeve për një ditë për shkak se ka edhe problem ligjore sa i përket kësaj çështjeje’’, tha Demhasaj.

Sipas tij, këto dy procese zgjedhore kanë natyrë të ndryshme: zgjedhjet lokale janë të rregullta dhe parashikojnë një fushatë 30-ditore, ndërsa zgjedhjet parlamentare të parakohshme janë të jashtëzakonshme dhe parashikojnë një fushatë vetëm 14-ditore.

 ‘’Zgjedhjet lokale janë zgjedhje të rregullta dhe fushata zgjatë 30 ditë .Në anën tjetër nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare atëherë ato janë të jashtëzakonshme dhe fushata zgjat dy javë pra është shumë problem me i bashku në këto rrethana zgjedhjet lokale me parlamentare’’, deklaroi ai.

Duke u bazuar në përvojën e fundit me zgjedhjet nacionale, të cilat u karakterizuan me vonesa dhe ankesa të shumta, ai vlerëson se mbajtja e dy proceseve zgjedhore njëkohësisht është e pamundur teknikisht, e palogjikshme dhe e panevojshme.

‘’Duke e parë që herën e fundit dështuan me një palë zgjedhje nacionale, u vonuan shumë, kishte ankesa, kështu që dy palë zgjedhje përnjëherë e shoh të pamundur të mbahen ,këta edhe mund ta bëjnë por nga aspekti logjik është e pamundur dhe e panevojshme’’, përfundoi ai.

Pozhari : Zgjedhjet e dyfishta mund të mbahen vetëm me marrëveshje mes partive

Xhevdet Pozhari, njohës i zhvillimeve politike, thotë se ideja për zgjedhje të dyfishta është nxitur nga ato parti që nuk kanë frikë të shkojnë sërish në zgjedhje.

‘’Mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta ka qenë  tendencë e partive të cilat nuk kanë frikë të shkojnë edhe një herë ne zgjedhje’’, deklaroi ai.

Megjithatë, Pozhari e cilëson këtë qasje si të papërgjegjshme nga të gjitha partitë politike pa përjashtim, duke theksuar se vendi ka dalë nga një cikël zgjedhor që ka prodhuar rezultate, dhe tani është koha të gjendet gjuhë e përbashkët për bashkëqeverisje.

‘’ Unë mendoj se kjo është pa përgjegjësi e të gjithëve pa përjashtim shkaku se kemi pasur cikël zgjedhor i cili i ka sjellë rezultatet dhe tash duhet të gjendet gjuha e përbashkët për bashkë qeverisje’’, thotë ai.

Sipas tij, teknikisht është e mundur mbajtja e dy zgjedhjeve në të njëjtën ditë – por vetëm nëse ka dakordim politik.

‘’ Megjithatë është e mundur të ketë dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë nëse arrihet dakordim mes partive’’, përfundoi ai.

Related Articles