Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar deklaratën e miratuar në mbledhjen e Këshillit Drejtues e cila u mbajt të shtunën.
Deklarata ka gjithsej shtatë pika, ku thuhet fillimisht se rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është e pamundur me këtë Qeveri.
Në pikën e dytë, thuhet
“Përmes veprimeve të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, kryeministri ka braktisur besimin dhe interesin e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës mbeten mirënjohës ndaj SHBA-së, BE-së, Shqipërisë dhe partnerëve të tjerë. PDK beson që e vetmja mënyrë për të shpëtuar Kosovën dhe të arriturat historike me shumë mund dhe sakrificë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë, si dhe formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”.
PDK ka deklaruar tutje se në seancat e Kuvendit të Kosovës do të votohen vetëm vendimet “me rëndësi strategjike” për Kosovën.
Sa i përket Asociacionit, PDK e ka kundërshtuar draftin e fundit që është prezantuar.
“Partia Demokratike e Kosovës ka analizuar me vëmendje draft-statutin e Asociacionit, të cilin e ka pranuar Kryeministri Kurti. Ky draf-statut krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive. Për PDK-në, është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe që krijon një nivel të ri të pushtetit në vendin tonë. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që prodhuan edhe këtë draft-statut, për PDK-në nuk janë as finale e as gjithëpërfshirëse. Marrëveshja e pranuar nuk përmban njohjen reciproke de-jure, prandaj për PDK-në është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë. PDK angazhohet dhe beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ruan karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”.
Në pikën e pestë, thuhet se PDK do të fillojë organizimin për zgjedhjet e përgjithshme duke mobilizuar potencialin në të gjitha nivelet e partisë.
PDK ka reaguar edhe për tërheqjen e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë, duke kërkuar nga mbështetësit e partisë që të kontribuojnë sipas mundësive.
“Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar në lidhje me informatat për vështirësitë financiare të ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi. PDK e kupton se në një situatë të ngjashme janë edhe ekipet mbrojtëse të të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, të cilët po mbrojnë luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Për PDK-në, mbrojtja e të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, pa dallim, nuk është çështje e interesit politik, por obligim ligjor, shtetëror dhe shoqëror. Prandaj, PDK kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të luajnë një rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët tanë. PDK, po ashtu, fton të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e saj që të kontribuojnë, sipas mundësive të tyre, në fondet për mbrojtjen juridike të të gjithë çlirimtarëve të Kosovës të cilët janë në Hagë.” – thuhet aty.