Në qytetin e Gjilanit ka një garë të paparashikueshme dhe interesante për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në peisazhin kryesor janë pesë kandidatë, secili me historinë dhe sfondin e vet që synon të udhëheqë komunën.
Në këtë komunë gara zhvillohet nga Alban Hyseni i LVV, Riad Rashiti nga PDK, Arbër Ismajli nga LDK, Nazim Gagica AAK, dhe Ilir Poroshtica nga GUXO.
Në katër vitet e fundit, këtë komunë e ka udhëhequr Lëvizja Vetëvendosje! në krye me Alban Hyseni. LVV kërkon sërish edhe një mandat në zgjedhjet e reja po me këtë emër.
I lindur më 23 tetor 1990, Alban Hyseni është një figurë e re në politikë, por me përvojë të konsoliduar. Ai me profesion është jurist, teksa karrierën profesionale e nisi si tutor në vitin e katërt të studimeve, më pas asistoi në fushën juridiko-penale (2013–2015). Ka shërbyer në role të ndryshme akademike dhe administrative: Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë, Zyrtar i Cilësisë, Sekretar i Përgjithshëm në Kolegjin “Arbëri”, dhe Koordinator i UBT-së në Gjilan. Aktivist i LVV-së që nga viti 2010, është zgjedhur deputet në vitet 2019 dhe 2021. Pas fitores në balotazhin e vitit 2021, ai u bë kryetar i komunës më 9 dhjetor 2021, duke hequr dorë nga mandati i deputetit.
LDK ka propozuar emrin e Arbër Ismajlit si kandidat për kryetar.
Arbër Ismajli shërbeu si nënkryetar i Komunës së Gjilanit, duke punuar ngushtë me Lutfi Hazirin, i vetëdijshëm për sfidat e komunës gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Ai udhëhoqi Shtabin Emergjent, duke koordinuar masat dhe ndihmën për qytetarët në një nga situatat më të vështira për komunitetin. Ka qenë aktivist i palodhur i LDK-së për tre dekada, duke u përfshirë thellë në aktivitetet e përgjithshme të partisë dhe rezultatet e përbashkëta në komunitet. Përveç detyrës së nënkryetarit, ka qenë shef i kabinetit në Zyrën e Kryetarit të Komunës.
Kandidati i PDK-së, Riad Rashiti ka shërbyer dy mandate si asambleist në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe gjithashtu ka qenë drejtor i degës lokale të PDK-së.
Akademikisht, ai ka Master në menaxhment financiar në Universitetin e Ljubljanës. Rashiti njihet për përkushtimin e tij në fushën e ekonomisë dhe administratës lokale.
Partia GUXO!, ka propozuar Ilir Poroshticën, një emër i ri në skenën politike. Ai është arkitekt dhe sipërmarrës nga Gjilani, i njohur për projektet e shumta private. Sipas Donika Gërvallës, konsiderohet profesionist i pakorruptuar dhe i përkushtuar, i cili synon të sjellë ekspertizë menaxheriale në qeverisje publike.
Nga AAK-ja, kandidati Nazim Gagica ka një sfond mw pwrvojw në menaxhimin komunal: është ligjërues në Kolegjin “Fama” që nga viti 2012, dhe ka drejtuar Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme nga 2014, më pas Drejtor i Arsimit (2018–2021). Studimet e tij përfshijnë një Bachelor dhe Master në Menaxhment.