Sipas kalendarit të rregullt, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në tetor, derisa diskutimet për një datë të caktuar veçse kanë nisur, shkruan Gazeta Enigma.
Në lidhje me emrat e përfolur për kandidat nëpër komuna, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cili tha se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidoj për kryetar të Mitrovicës, ndonëse emri i tij është përfolur si kandidat i mundshëm.
“Ende nuk kam vendosur nëse do të kandidojë apo jo, pritet në ditët në vijim”, tha Hamza shkurt për “Gazetën Enigma“.
Ndërsa, analisti, Rasim Alija, për Gazetën “Enigma”, tha se këto zgjedhje do të jenë sa interesante aq edhe test për të gjitha subjektet politike.
Alija gjithashtu tha se si sfidë kryesore për VV-në gjatë këtyre zgjedhjeve do të jetë testi i parë pas fitores së 14 shkurtit, ndërsa për LDK-në ai tha se do të ishte mirë nëse kjo parti arrinë t’i mbajë komunat që i ka aktualisht, por sipas tij në rrethanat aktuale do të jetë e vështirë.
“Për LVV-në do të jetë testi i parë i tyre pas fitores së 14 shkurtit. Madje një fitore e LVV në shumicen e komunave do ta shtronte rrugen e tyre për një mandat prej 8 viteve edhe në zgjedhjet parlamentare. Për LDK do të ishte super sukses nësë do arrinte t’i mbante komunat që i ka aktualisht, e që ne rrethanat aktuale duket shumë e vështirë. Për LDK jetike do duhej të ishte fitorja në Prishtinë, e cila do të forconte pastaj edhe poziten e Abdixhikut si kryetar partie. Gjithçka më pak se kjo, për LDK-në do të ishte rezultat dërmues, duke futur këtë subjekt në krizë lidershipi”, tha ai.
Tutje, sa i përket partive të tjera, Alija tha se këto zgjedhje për PDK-në do të jenë testi më i madh, ndërsa për AAK-në , reformat, dorëheqjet e strukturave dhe lëvizjet e elektoratit, sipas tij kanë lënë shenjë.
“Për PDK-në do të jetë testi më i madh prej kur ekziston si subjekt. Mungesa e dy figurave qendrore, reformat brenda, dhe paknaqësitë brenda, do jenë testi që në rast që nuk e menaxhon mirë, PDK do pësojë tronditjen tjeter elektorale shumë më të dhimbshme për këtë subjekt, se sa rezultati i 14 shkurtit. Njëjt do jetë test edhe për AAK-në, reformat, dorëheqjet e strukturave dhe levizjet e elektoratit kanë lënë shenjë. Dhe pritjet elektorale të AAK-së, do duhej të fokusoheshin në mbajtjen e komunave që i qeveris aktualisht, edhe pse kjo duket gati e pamundëshme”, tha Alija për Gazetën Enigma.
Tutje, Alija tha se sfiduese do të jenë edhe aleancat e marrëveshjet që do bëjnë subjektet politike në komunat ku do të ketë balotazh.
“Në një situatë ku LVV-ja do arrinte të fitonte në shumicen e komunave, kjo do ishte dërmuese për subjektet tjera, duke i zhveshur nga të gjitha si pushteti qëndror dhe ai lokal, si dhe do e bënte shumë të vështirë këndelljen për një kohë të gjatë për këto subjekte politike”, theksoi Alija.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ftuar liderët e partive politike për të caktuar një datë se kur mund të mbahen zgjedhjet, derisa është takuar edhe me Kryeministrin, Albin Kurti. Ky i fundit në cilësinë e Kryetarit të Vetëvendosjes ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.
Kurti gjatë fjalimit pas takimit me Osmanin, deklaroi se sa i përket kandidatit për kryetar të Komunës së Prishtinës, tha se këtë e vendos Këshilli i Qendrës së VV-së në Prishtinë, derisa nuk dha ndonjë emër konkret.
Ndërsa, është përfolur edhe për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Uran Ismaili, se do të kandidojë për kryetar, por sipas liderit të PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk ka ende ndonjë vendim final. Kjo pasi që sipas tij, në procedurat e PDK-së, kandidati fillimisht duhet prezantuar në degë, e pastaj të vazhdohet tutje.
/Gazeta Enigma/.