Zgjedhjet lokale, Vetëvendosje pa asnjë propozim të kandidaturave për kryetar komunash

Zgjedhjet lokale, Vetëvendosje pa asnjë propozim të kandidaturave për kryetar komunash

Qytetarët e Kosovës në tetor të këtij viti do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunave të tyre në të cilën ata jetojnë, shkruan Gazeta Enigma.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë zyrtarizuar kandidatët për krytarë të komunave, derisa një gjë e tillë me Vetëvendosjen ende nuk ka ndodhur.

Mirëpo, Vetëvendosja veç se ka filluar përgatitjet për këto zgjedhje, ani pse pa asnjë zyrtarizim të kandidaturave.

Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha për Gazetën “Enigma” se në qendrat e LVV-së nëpër komuna janë duke u mbajtur proceset e zgjedhjes së kandidatëve për kryetarë.

“Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të këtyre kandidaturave nëpër nivelet e ndryshme të LV-së, të cilat përfundimisht i nënshtrohen procesit të votimit nëpër këshillat e qendrave. Përmes këtij procesi jemi të interesuar të nxjerrim kandidatët më të mirë, jo vetëm për subjektin tonë, por veçanërisht për qytetarët e komunave të cilëve do t’ju shërbejmë”, ka thënë Manxhuka.

Sistemi i brendshëm i Vetëvendosjes mund ta ngadalësoj procesin e vendimmarrjes

Ndërsa, analisti për çështje politike, Mazllum Baraliu për Gazetën “Enigma” i ka përmendur tri faktorë që mund të ndikojnë në vonesën e mbajtjes së procesit për zgjedhjen e krytarëve të komunave.

“Faktori i parë qëndron se VV-ja duhet të koordinohet me dy anëtarët e tjerë të koalicionit që është “Alternativa” dhe Lista “Guxo”. Ndërsa, te faktori i dytë është se partia është zgjeruar shumë dhe sipas tij e ka një sistem të brendshëm i cili mund ta ngadalësoj procesin e vendimmarrjes gjegjësisht propozimin e kandidatëve të komunave i cili nga aktivet e degave, pikat që i kanë ata duhet të propozohen njerëzit dhe mandej nga poshtë-lartë të vijë propozimi deri te kandidatët më të merituar, më të përzgjedhur”.

Ndërsa, sa i përket faktorit të tretë, Baraliu tha se partia tashmë është e nxëntë në pushtet dhe sipas tij duke punuar me qeverisje po i neglizhojnë disa gjëra të partisë gjë që nuk është e parëndësishme, duke theksuar se kjo mund t’iu kthehet në vonesa për propozim të kandidatëve të komunave.

“Është një fenomen që e kemi parë edhe më herët te partitë tjera të cilat e kanë fituar pushtetin, koncentrohen më tepër në pushtetin qendror dhe më pak në debate për të kontaktuar për të idenfitikuar aktivitetin”, tha ai.

Baraliu thekson se nuk është mirë të ketë vonesa të tilla dhe duhet që VV-ja të mobilizohet me dy anëtarët e tjerë të koalicionit, në mënyrë arrijnë një përfundim.

Përçarja mes Listës “Guxo” dhe Vetëvendosjes

Sipas Baraliut kjo mund t quhet disonancë në kuptimin pezhorativ.

“Ajo është një iniciativë faktikisht qytetare e cila nuk është konsoliduar ende si parti politike dhe tani lindin edhe interesat e ndryshme, ambiciet, orekset për pushtet qoft nivel lokal, qoft nivel qendror dhe tani jo të gjithë mund të kënaqen me oferta që mund t’ua bëjë qeveria”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Baraliu tha se këto probleme të brendshme janë normale, por sipas tij më e rëndësishmja është që këto tri subjekte të nxitojnë sa më parë për të mirën e tyre t’i propozojnë kandidaturat.

Theksojmë se në zgjedhjet e fundit lokale Vetëvendosje kishte fituar në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë, ndërsa Shpejtim Bulliqi kishte fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Ndërsa, sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjektet politike mund të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje nga data 17 qershor deri më 16 gusht. 

/Gazeta Enigma/.

Related Articles