Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të edicionit të 94-të të ndarjes së çmimeve “Oscars”, raporton Gazeta Enigma.
Votimi në listën e ngushtë përfundoi më 15 dhjetor dhe të tjerët do të kalojnë në fazën e parë të votimit zyrtar.
Votimi i nominimeve fillon të enjten, më 27 janar dhe përfundon të martën, më 1 shkurt.
Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” është edhe filmi shqiptar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili është propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.
Madje, për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ky është një lajm i jashtëzakonshëm.
“‘Zgjoi’, filmi i Blerta Bashollit, që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës, nën interpretimin e shkëlqyer të Yllka Gashit dhe kastës fantastike të aktorëve tanë, është zyrtarisht në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz Oscars në kategorinë e filmave të huaj”, ka shkruar Osmani.