ZRrE nuk stepet nga tregu i lirë i energjisë – Çka pritet të ndodhë me bizneset në Kosovë pas korrikut?

ZRrE nuk stepet nga tregu i lirë i energjisë – Çka pritet të ndodhë me bizneset në Kosovë pas korrikut?

Nga data 1 gusht, bizneset në Kosovë që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike do të mbesin pa rrymë. Sot është data e fundit që Korporata Energjetike e Kosovës do t’i furnizojë me energji elektrike të gjitha bizneset që nuk kanë gjetur furnizues në tregun e hapur, shkruan Gazeta Enigma.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.

Nevoja për afat shtesë

Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, deklaroi se duhet të ketë afat shtesë për bizneset që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues, sepse ekonomia e Kosovës do të ketë pasoja.

“Kjo është pjesë e përpjekjeve të ZRRE-së, që ato biznese të cilat nuk kanë lidhur kontrata me ndonjë licencues për furnizim me energji elektrike t’i përgjigjen kërkesave ligjore dhe teknike, që bizneset të formalizohen dhe tregu i energjisë elektrike të rregullohet, të jetë transparent, konkurrues dhe i formalizuar me synim liberalizimin e tregut energjetik. Bizneset kanë qenë të vetëdijshme se një afat i caktuar ka qenë, por nënkuptohet se është faza fillestare ku ka vështirësi mes bizneseve dhe 22 furnizuesve që janë të licencuar nga ZRRE-ja – nëse i plotësojnë standardet apo jo. Unë kisha sugjeruar që t’u jepet edhe një afat shtesë bizneseve që nuk janë apo nuk kanë mundur të lidhin kontrata, që të mos kenë kosto dhe pasoja ekonomike, dhe të rregullohet gradualisht tregu i energjisë elektrike, në mënyrë që të mos pësojë ekonomia e Kosovës dhe buxheti”, tha Bellaqa në një përgjigje për Enigmën.

Tutje, ai theksoi se nëse nuk zhvillohen proceset e ZRRE-së si duhet, ekonomia e vendit do të dalë nga shtrati dhe do të prodhojë rezultate negative.

“Rrjedhimisht, nëse nuk ka afat të dytë dhe nuk forcohet liria ekonomike e të bërit biznes, proceset ekonomike do të dalin nga shtrati i vet dhe nga rrjedhat normale, ku ndikon negativisht dhe do të rritet kostoja operative dhe mundësia e të bërit biznes. Do të ketë pasoja, sepse do të rriten sërish çmimet e produkteve dhe shërbimeve”, përfundoi Bellaqa për Enigmën.

Paralajmërohen veprime të ashpra nga bizneset

Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda. Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë”, thuhet në njoftim.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar pasoja të mëdha për Kosovën pas këtij vendimi.

Sipas tij, njëra nga pasojat me të cilat pritet të përballet vendi është edhe largimi i investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, rritja e kostove të bizneseve, gjë që do të ndikojë automatikisht në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët, si dhe do të ketë rritje të papunësisë.

“Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, KEDS ka lajmëruar se nga nesër do të nisë shkyçjen nga rrjeti për konsumatorët që aktualisht nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me rrymë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë.

KEDS, si Operator i Sistemit të Shpërndarjes, potencoi se nuk ka ndonjë kompetencë furnizuese, por ka vetëm rolin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe si kompani e rregulluar është e obliguar t’i zbatojë të gjitha vendimet e ZRRE-së.

Aktualisht, kompanitë e mëdha private po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).

Pas skadimit të këtij afati, ky furnizues nuk ka më të drejtë ligjore të ofrojë energji për këto kompani.

Periudha 60-ditore e mbështetjes nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ka nisur më 1 qershor, kur ka hyrë në fuqi vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë një furnizues të licencuar. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

ZRRE-ja dhe KEK-u, si institucione përgjegjëse, u kanë bërë thirrje të gjitha bizneseve që sa më shpejt të kontaktojnë furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë kontratë të re për furnizim, për të shmangur ndërprerjen e energjisë.

Ndër të tjera, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit./GAZETA ENIGMA/

Related Articles