Janë bërë më shumë se dy muaj, që kur presidentja Vjosa Osmani me kërkesë të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka nxjerrë dekretin për të shkarkuar më shumë se dhjetë ambasadorë të Kosovës, nëpër vende të ndryshme të botës.
Ambasadorët e shkarkuar dy muaj më parë janë: Beqë Cufaj, Arbër Vllahiu, Nait Hasani, Lirim Grejqevci, Shpend Kallaba, Gezim Kasapolli, Avni Kastrati, Gjergj Dedaj, Ylber Hysa, Avni Arifi dhe Amir Ahmeti, shkruan FrontOnline.
E, që nga ajo kohë, vendet si Gjermania Shqipëria, Çekia, Holanda Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Australia, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, kanë mbetur me ushtrues detyre të ambasadorit.
Kjo, pasi që sipas ligjit ambasadorët e shkarkuar mund ta ushtrojnë detyrën edhe tre muaj pas shkarkimit.
Lidhur me atë se kur pritet të emërohen ambasadorët e rinj, FrontOnline ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Nga kjo ministri kanë treguar se shumë shpejtë të bëhet propozimi për plotësimin e pozitave të lira të ambasadorëve nëpër misionet e Kosovës nëpër botë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), do të bëjë propozimin për plotësimin e pozitave të lira të ambasadorëve nëpër misionet e Kosovës nëpër botë. Ky proces do të mbyllet brenda pak ditësh dhe MPJD-ja do ta njoftoj opinionin publik me epilogun e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së, për FrontOnline.
Në kohën kur u shkarkuan ambasadorët, ministrja Gërvalla tha se vendime të tjera sa i përket shërbimit diplomatik do të ndodhin, ndërsa, bëri të ditur se përzgjedhja e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, gjysma e ambasadorëve apo 50% e emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve diplomatike duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër, mund të jenë të emëruar politik. Të emëruarit politik sipas ligjit, mund të “shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”. Disa nga ambasadorët e liruar nga detyra, ende nuk e kanë përfunduar mandatin katër vjeçar.
Për shkarkimin e ambasadorëve kishin reaguar edhe liderët e partive opozitare.
“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin arritjet e dy dekadave të fundit në diplomaci”, kishte thënë ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Kurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte shkruar se “Largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse”, tha Haradinaj, duke shtuar se “asnjëri prej ambasadorëve të dërguar sipas “çelësit politik” nuk ka shërbyer në emër të partisë apo të individëve por ka kryer shërbim në emër të Kosovës”.
Ndërsa, së fundmi në media është raportuar se si emra të përfolur për ambasadorë janë edhe Fitore Pacolli dhe Demush Shasha.