Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ish-asamblisti i kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi si dhe personat me inicialet Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë të enjten lidhur me deklarimet e tyre për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.
Manxhuka dhe Azemi akuzohen për nxitje të urrejtjes ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu. Ndërkohë, Elshani e Zenelaj akuzohen për kanosje ndaj gjyqtarit e prokurorit.
Seanca është ndërprerë për një orë, pasi tre nga katër të pandehurit ishin pa avokatë.
Gjyqtari Arben Hoti ka thënë do t’i duhet caktojë avokatë me shpenzime të shtetit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit Manxhuka dhe Azemi, “duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje thuhet se kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh. dhe gjyqtarit M.B., lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P..”.
Manxhuka dhe Azemi në gusht të këtij viti ishin intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tyre për rastin e Pantiqit.
Manxhuka atëherë kishte akuzuar Prokurorinë për përndjekje të aktivistëve të partisë në pushtet, derisa kishte thënë se nuk janë marr me denoncimet që kanë bërë ministritë e Qeverisë aktuale.
Ish-polici serb Pantiq ishte liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak në tetor të vitit të kaluar, pasi ishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinje nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre të komisionit zgjedhor.