Të gjithë personat që kanë dënime të plotfuqishme në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë për kryetar komune dhe asamble në zgjedhjet lokale të këtij viti. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, norma e vendosur në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit do të përcjellët edhe në zgjedhjet lokale. Rrjedhimisht KQZ pritet t’i largojë nga lista ata që mëtojnë për t’u zgjedhur nga qytetarët, por kanë dënime përfundimtare nga gjykata në tri vitet e fundit.
Përkitazi me këtë, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, kërkon ndryshimin Ligjit për Zgjedhje, përkatësisht nenit 29, pikës “q” që t’iu mundësohet personave me dënim me kusht, gjobë dhe vërejtje gjyqësore të kandidohen në zgjedhjet lokale.
Sipas tij, për të qenë në koherencë dhe përputhje me pasojat juridike të Kodin Penal duhet të qartësohet dispozita ku thotë se “kushdo që ka qenë i shpallur fajtor në tri vitet e fundit” të ndryshohet dhe të thuhet se “kushdo që ka qenë i shpallur me vendim efektiv burgu”.
“Ndryshimet mund të bëhen, ato do të duhej të bëheshin për të qartësuar normën dhe sjell në përputhje me kodin penal ose dispozitat që rregullojnë pasojat juridike të dënimit. Pasi askund në botë nuk ka mundësi për një vërejtje gjyqësor dikush të penalizohet dhe mos marrë pjesë në zgjedhje. Është absurde që dikujt për një vepër penale nga pakujdesia, nga neglizhenca pasi sanksionohen edhe ato në kodin penal me pasoja të parëndësishëm t’iu pamundësohet dikujt të merr pjesë në zgjedhje. Kështu që ka mundësi që kjo të ndryshohet dhe për bindjen time duhet të ndryshohet në këto rrethana… do të duhej të ndryshohej edhe pse e di që menjëherë merr konotacion politik se qëllimi është për t’i favorizuar këto, apo atë kandidat. Për bindjen time do të duhej të ndryshohej vetëm kjo dispozita që ka të bëjë me paragrafin ku thotë se tri vitet e fundit të jetë shpallur fajtor, vetëm t’i shtohet me dënim efektiv burgu. Pasi vetëm atë formë Kodi Penal ia njeh pasojat juridike”, thotë ai.
Në të kundërtën, Hasani thotë se në bazë të vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese do të largohen nga lista gjithë ata që janë shpallur fajtorë në tri vitet e fundit për çfarëdo vepre penale.
“Tani është krijuar një precedent, një praktik dhe ai vendim i Gjykatës Kushtetuese e cila është shprehur se nuk kanë të drejte të gjithë ata që janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit, duke iu referuar Ligjit për Zgjedhje se nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të kandidohen. Meqenëse aty e ka përdorur shprehjen ‘nuk kanë të drejtë’, aty ka refleksione edhe në zgjedhjet qendror dhe ato lokale. Fundi fundit, ajo pastërtia integritetit i deputetit, kryetarit të komunës dhe asamblistit duhet të jetë i njëjti, në kuptimin e pastërtisë së tij që nuk ka ra ndesh me ligjit. Konsideroj që ky vendim që ka filluar të zbatohet nuk ka mundësi të jetë ndryshe edhe në zgjedhjet lokale. Ka me vazhduar në të njëjtën mënyrë edhe KQZ-ja, që ka me largu nga lista të gjithë ata që kanë qenë tri vitet e fundit të shpallur fajtor”, shton Hasani.
Derisa thotë se nuk ka mundësi të ndërrohet kjo normë e cila është zbatuar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.
“Nuk ka mundësi as bazë që të veprohet ndryshe edhe në zgjedhjet lokale sepse nuk ka si të arsyetohet një vendim ndryshe nga ajo që kanë dhënë KQZ-ja, PZAP, por edhe Gjykata Supreme në rastin e zgjedhjeve qendrore, ku këtë pengesë e kanë marrë si arsye të për t’i larguar gjithë ata që kanë garuar për zgjedhjet qendrore që kanë qenë të shpallur fajtorë në tri vitet e fundit”, thotë ai.
Megjithatë, Hasani vazhdon ta kundërshtojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese pasi thotë se e drejta për të mos u kandiduar në zgjedhje merret vetëm më vendim gjyqësor.
“Për t’i mohuar dikujt të drejtën aktive dhe pasive në zgjedhje, veçmas për t’u kandiduar duhet t’i merret vetëm me vendim gjyqësor, pasi kështu e thotë neni 45 i Kushtetutës dhe nuk mundët mbivaloj asnjë normë i Gjykatës Kushtetuese në raport me Kushtetutën”, deklaron ai.
Duke u bazuar në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, kryeministrit aktual, Albin Kurti iu pamundësua të jetë kandidat për deputet, pasi kishte dënim me kusht në tri vitet e fundit, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016./KP/Gazeta Enigma/