Sot bëhen dhjetë vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi.
Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.
Më pas, sërish ka punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit.
Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001 ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Kelmendi ka marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.