12 milionë Euro shpenzohen për dy muaj për importin e energjisë

12 milionë Euro shpenzohen për dy muaj për importin e energjisë

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me furnizimin e vendit me energji elektrike si dhe për funksionimin e ndërmarrjeve publike.

Ajo tha se 12 milionë euro ishin paraparë që të shpenzohen gjatë tërë vitit për importin e energjisë elektrike, përderisa këto mjete janë shpenzuar veç në nëntor dhe janë planifikuar për dhjetor.

Sipas saj, çmimet e importit janë pesëfish më të larta.

“ZRrE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë për import”, tha ajo.

“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 cent për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë”.

“Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta par shërbime të balancimit të sistemit”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, kërkoi të di nëse do të ketë ngritje të çmimit të energjisë.

“A mund të garantoni se nuk mund të ketë rritje të çmimit të energjisë në Kosovë. Kemi miliona euro humbje nga mos pagesa e faturave të energjisë. Keni premtuar se pas gjashtë muajve, keni thënë se do të fillojë pjesa e veriut të paguaj”, pyeti Lekaj./Gazeta Enigma/

Related Articles