Kosova të enjten më 17 shkurt, festoi 14 vjetorin e pavarësisë, përkundër të arriturave që ka pasur vendi, emigrimi i të rinjve kosovar vazhdon të jetë çështje shqetësuese për të gjithë.
Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci thotë se vendi ende është larg në përmbushjen e asaj që ai ka dëshiruar që Kosova të arrij pas shpalljes së pavarësisë.
“Shqetësimi kryesor për mua 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë është ikja e rinisë nga Kosova, kemi ngecje në zhvillimin ekonomik, ngecje në avancimin e sistemit arsimor, në sistemin e shëndetësisë. Jemi ende në fazën e negociatave dhe jemi ende larg përmbushjeve të pritjeve të mia që i kisha më herët”, shprehet i shqetësuar Geci.
“Rinia e Republikës së Kosovës duhet ti shtojnë përpjekjet e tyre në arsimimin e tyre, emancipimin e tyre të kenë pak durim dhe mos të ikin nga vendi i tyre i lindjes”, ka thënë ai për ‘Enigmën’.
Ish-deputeti i LDK-së porositë të rinjtë e vendit.
“Mos i leni prindërit vetëm, mos e lini vendin tuaj pa gjallëri. Nuk ka vend më të mirë në botë se vendi i ynë, vend i shqipeve, vendi i gjyshërve dhe stërgjyshërve tonë”, vazhdon ai.
Kurse për ata që tashmë janë larguar nga vendi, Geci ka një kërkesë që mos ta harrojnë Kosovën.
“I lus të mos e harrojnë këtë vend edhe pse ndoshta ndonjëherë ju duket i keq por nga përvoja ime ju garantoj se askund në botë nuk ka vend më të mirë se vendi ynë Kosova”, përfundon porosia e Gecit.
Pavarësisht shqetësimeve Geci ka listuar edhe të arriturat e Kosovës për të cilat sipas tij, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës janë ngjarje që do mbesin në historinë e vendit.
“Momenti më historik pas Pavarësisë së Republikës së Kosovës për mua është miratimi i Ligjit për transformimin e FSK-së nga një forcë me një mision civil në një forcë ushtarake me mision ushtarak për mbrojtjen e popullit të Kosovës krahë për krahë me NATO-në dhe ushtritë e tjera të vendeve të rajonit”, shprehet ai.
“Kosova ka pasur edhe progres në infrastrukturën rrugore, kemi ndërtuar dy autostrada që lidhemi me dy shtete fqinje: Autostradën e Kombit “Ibrahim Rugova “ që lidhë kombin shqiptar nga Prishtina deri në Durrës dhe autostradën që lidhet me shtetin e Maqedonisë së Veriut”, përfundon Geci për arritjet e Kosovës pas 14 vite pavarësi.
Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci ishte në mesin e 109 deputetëve të cilët nënshkruan deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Ai ka treguar për ‘Enigmën’ se të qenit deputet i zgjedhur nga populli në legjislaturën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës për të ishte një nderë i veçantë.
“Unë përmbusha përpjekjet e familjes time pas shumë vuajtjeve dhe sakrificave nëpër shekuj dhe me datën 17 shkurt 2008 pata fatin ta nënshkruaj deklaratën e pavarësisë dhe kjo për mua ishte e arritura më e madhe në jetë pas një pune të pa kursyer brez pas brezi, si para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës unë kisha privilegjin që me i përmbush përpjekjet e popullit tim për Liri e Pavarësi duke u bërë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Geci.
Ndryshe, ai që nga viti 1990 ishte anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të LDK-së, ndërsa, në vitin 1998 ishte Kryetar i Forumit të LDK-së, dega në Skenderaj. Geci ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Enigma/