Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po bie. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve ndodhin nëpër rrugë, pompa e biznese të tjera, por një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të dielën në Prishtinë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se një grua 78-vjeçare është grabitur nga disa persona teksa po dilte nga shtëpia e saj pasditen e ditës së djeshme. Të dyshuarit ia kanë zënë pritën gruas së moshuar dhe duke e kërcënuar e kanë detyruar t’iu tregojë se ku i mban paratë.
Bazuar në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve, të dyshuarit i kanë thënë “ose 200 euro, ose shpirtin ta marrim”. E tmerruar me atë që i ndodhi, e moshuara ka vendosur ta njoftojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer detaje për ngjarjen që i ndodhi.
Si rezultat i raportimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar, teksa për rastin është vënë dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit hetimet kanë nisur për veprën penale “Grabitje”.