23-vjeçari në Gjilan kapet në flagrancë me drogë, përfundon në Polici

Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve.

Një rast i tillë është zbuluar së fundi në lagjen Dardania në Gjilan, ku një njësi policore ka ndalur një të ri për kontroll.

Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, gjë që ka bërë që 23-vjeçari të përfundojë në pranga.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Related Articles