23-vjetori i Masakrës së Reçakut, Osmani: Reçaku mbetet dhimbje e përhershme, vend ku mori formë liria

23-vjetori i Masakrës së Reçakut, Osmani: Reçaku mbetet dhimbje e përhershme, vend ku mori formë liria

Të shtunën, në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut, Presidentja Vjosa Osmani e shoqëruar edhe nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.



Ajo para mediave ka folur për gjenocidin që ndodhi në këtë fshat, duke thënë se bota kishe kuptuar për krimin që po ndodhte në Kosovë.

“Më 15 janar të vitit 1999 bota përfundimisht e kuptoi se mbi popullatën e pafajshme të Kosovës po ndodhte krim e gjenocid”, tha Osmani.

Në një akademi përkujtimore për nder të kësaj date, Osmani theksoi se kjo masakër ishte pasqyrim i shfarimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.

Madje sipas saj, edhe përkundër tentimit që kjo masakër të fshihje, u dëshmua se propaganda nuk mund të ndryshojë faktet historike.

“23 vjet më parë bota e kuptoi përfundimisht krimin që ndodhin mbi popullatën e pafajshme. Atë ditë Kodra e Bebushit ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzit, pasqyrimi i shfarimit gjenocidal të Millosheviqit. Përfaqësuesit ndërkombëtar ishin dëshmitarë të kësaj masakre të Mileshoviqit që qëllim kishte shfarosjen”.

“Propaganda nuk mund të ndryshojë fakte historike”

Kështu ka deklaruar Presidentja Osmani, teksa thotë se “Mohimi i krimit është përsëritje e krimit”.

“Në Reçak ka ndodhur gjenocid dhe synim ishte shfarosja e shqiptarëve. Mohimi i krimit është përsëritje e krimit. Histori nuk mund të ndryshohet, propaganduesit duhet të kërkojnë falje e të vendoset drejtësi. Nuk kemi asnjë lajm për të zhdukurit, liria jonë pa ta do të mbete e pa përmbushur. Secili varrë ka histori tmerri, kjo masakër shënoi kthesën më të madhe ngase u intensifikuan përpjekjet për liri nga të huaj e nga të rinjtë të gatshëm për liri”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo është shprehur se nuk do të lejojnë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë.

“Reçaku dhe Kosova janë të lirë falë ndihmës së aleatëve dhe luftës çlirimtare. Ne e kujtojmë të vërtetë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës duke shikuar nga e ardhmja, duke kërkuar që drejtësi të jetë thirrje. Nuk do të lejojmë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë, nuk do të lejojmë që ajo të përsëritet”.

“Reçaku është dhimbja jonë e përhershme. Reçaku është vend prej ku morri formë liria jonë. Të mbijetuarit kërkojnë drejtësi e jo hakmarrje”, ka përfunduar Osmani. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles