26 vjet shtyllë e sigurisë – Policia e Kosovës ende pa sigurime shëndetësore e kushte të mira

26 vjet shtyllë e sigurisë – Policia e Kosovës ende pa sigurime shëndetësore e kushte të mira

26 vjetori i Policisë së Kosovës, hallkës më të rëndësishme shtetërore i gjen pjesëtarët e saj pa sigurime shëndetësore, me paga jo të duhura, e kushte jo dinjitoze, shkruan Gazeta Enigma.

Ministri i Brendshëm i Policisë, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar rolin jetik të këtij institucioni në shoqëri duke theksuar rëndësinë e afërsisë së tij me qytetarët.

Sveçla theksoi se “nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar ditëlindjen e një institucioni të tillë sesa me fëmijët”.

“Rruga jonë do të kalojë nëpër sfida, do t’ju hedhë në brigje të ndryshme, disa do të bëheni policë, mësues, mjekë dhe në fusha të ndryshme. Do të keni një partner të besueshëm në këtë rrugë, ajo është Policia e Kosovës”, u shpreh Sveçla.

Por, në çfarë kushte po e gjen 26–vjetori Policinë e Kosovës?

Ish–drejtori i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Jetullah Aliu, potencoi se “sa kam qenë pjesë për 8 vite, dhe akoma në ditët e sotme, kushtet që i ka Policia e Kosovës, nuk janë të kënaqshme”.

Tutje, avokati theksoi se ka mungesë të trajnimeve profesionale dhe pajisjeve të nevojshme për PK-në.

“Isha pjesë edhe vetë për 8 vite. Fatkeqësisht, duke qenë pjesë dhe në kontakt të vazhdueshëm me disa pjesëtarë të ish-kolegëve nga ana e Policisë së Kosovës, kushtet nuk janë të kënaqshme, për shkak se mungojnë disa trajnime profesionale, nganjëherë mungojnë edhe kushtet më elementare duke përfshirë edhe disa pajisje të nevojshme për Policinë e Kosovës”, u shpreh Aliu për Enigmën.

Gjithashtu, avokati deklaroi se Qeveria duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi këtij institucioni, teksa përmendi se edhe nga ana e pagave nuk qëndrojnë mirë.

“Po ashtu nga ana e pagave Policia nuk qëndron mirë, ka vite që pagat nuk kanë ndryshim në mirëqenien e tyre. Prandaj, mendoj se Qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi shumë të madhe duke e pasur parasysh që është një institucion që ka rëndësi shumë të madhe për qytetarët”, përfundoi Aliu për Enigmën.

Ndërkohë, edhe eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, deklaroi se kushtet në të cilat operon Policia e Kosovës, nuk janë në nivelin e duhur.

“Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme dhe më të konsoliduara në vend, me një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e rendit dhe sigurisë. Megjithatë, kushtet në të cilat policia operon shpesh nuk janë në nivelin e duhur – duke filluar nga aspekti i pajisjeve teknike, infrastrukturës, mirëqenies efektive deri tek kapacitetet e avancuara profesionale që kërkohen në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks”, u shpreh Shala për Enigmën.

Ndër të tjera, Shala theksoi se policia po punon mjaftueshëm për sigurinë në vend.

“Nëse shikojmë situatën aktuale, policia po bën mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve, duke reaguar shpejt dhe duke mbajtur stabilitet në terren, përfshirë zona të ndjeshme si veriu i vendit”, tha Shala.

Sipas tij, PK ka nevojë për mbështetje me buxhet dhe pajisje në fushën e kërcënimeve hibride dhe rreziqeve kibernetike.

“Por, për t’i bërë ballë kërcënimeve hibride, rreziqeve të sigurisë kibernetike, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe presionit politik që shpesh vjen nga jashtë, policia duhet të mbështetet më shumë – me buxhet shtesë, me pajisje moderne dhe me trajnime të vazhdueshme sipas standardeve të NATO-s dhe BE-së”, përfundoi Shala për Enigmën./GAZETAENIGMA/

Related Articles