Sot në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve u dorëzua peticioni për projekt-ligjin për parandalim të vetëvrasjeve, shkruan Gazeta “Enigma”.
Disa organizata të shoqërisë civile që nga 29 prilli i vitit 2024 kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion përmes së cilit do të kërkohet hartimi i një projektligji për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë.
Linja e Jetës në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se përgjegjësia primare për parandalimin e vetëvrasjes qëndron tek institucionet shtetërore.
“Atëherë, ne besojmë se përgjegjësia primare për parandalimin e vetëvrasjes qëndron tek institucionet shtetërore. Këta duhet të hartojnë politika dhe të sigurojnë implementimin e tyre efikas në kuadër të parandalimit të vetëvrasjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje ata kanë shtuar se “kjo nuk do duhej që të amnistoj përgjegjësinë kolektive tonën si qytetarë, por të na drejtoj tek forma më efikase, që është presioni në politik-bërës. Një individ nuk duhet të mbahet në krahët e veta me barrat e ndryshme që mund t’i përjetoj në mënyrë që të luftoj vetëvrasjen, por duhet të ketë programe te cilat mbështesin individët, familjet e tyre dhe komunitetet të cilat përkasin në mënyrë që të ketë ndryshim të vërtetë”.
Linja e Jetës ka njoftuar se mbi 10.000 qytetarë kanë nënshkruar peticionin
“Jemi tejet të lumtur të ndajmë me ju, se peticioni për hartimin e ligjit për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë, ka tejkaluar targetin e 10.000 nënshkrimeve, duke rezultuar deri më tani me 12.000 nënshkrime”, thuhet në njoftimin e tyre.
Linja e jetës tutje ka njoftuar se “kjo përpjekje kolektive dhe çdo nënshkrim i saj, na sjellin një hap më afër drejt hartimit të ligjit për parandalim e vetëvrasjes, me anë të së cilës do të sigurojë mbrojtje dhe mbështetje, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Po ashtu Linja e jetës sot zhvillon një takim diskutimi të titulluar “Ta ndryshojmë narrativën si flasim për vetëvrasjen”, e cila do të fokusohet në shtjellimin e nevojës dhe rëndësisë së hartimit të ligjit për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë, nga ku do të thellohemi në atë se si një ligj i tillë mund të shërbejë si gur themel në ofrimin e mbështetjes së nevojshme për individët që përballen me mendime për vetëvrasje, dhe do të diskutojmë mbi strategjitë praktike për zbatimin dhe hartimin e këtij ligji, duke u mbështetur në modele të suksesshme nga vendet tjera.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës të cilët kanë njoftuar në vitin 2024, nga janari deri më 16 maj janë kryer 11 vetëvrasje.
“Në vitin 2023 janë raportuar gjithsej 42 raste të vetëvrasjeve, ndërsa nga janari deri më 16 maj të vitit 2024 janë raportuar gjithsej 11 raste të vetëvrasjeve”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Enigmën”.
Psikologu Rron Kastrati në një përgjigje për “Enigmën” ka deklaruar se 10 shtatori është një ditë e veçantë sepse ofron mundësinë për shoqërinë tonë që të sensibilizohemi dhe të jemi të ndërgjegjshëm, për mënyrat, format e parandalimit të vetëvrasjeve.
“Hapat e para konkrete janë bashkëpunimi institucional , inkuadrimi dhe dyfishimi i rekrutëve të rinj, fushata sociale”, tha Kastrati.
Sipas tij “ajo çka kontribuon në parandalimin e vetëvrasjeve që shërben si mjet për ti vetëdijesuar njerëzit të cilët janë të cënuar dhe të rrezikuar nga çrregullimet depresive, zakonisht personat që kanë probleme të natyrës depresive kanë mendime të pakëndshme për të eliminuar vetën, për të vetëlënduar vetën, kanë ideacione se si të zhduken nga kjo jetë”.
Katrati tutje ka theksuar se stimulimi i njerëzve në të gjitha format për këta persona ndikon në ngjitjen në jetë dhe parandalimin e vetëvrasjeve.
“Duke i stimuluar njerëzit të gjejnë kuptimin e jetës së tyre në çdo lloj forme sepse vetëm ngjitja e kuptimit në jetë parandalon jo vetëm vetëvrasjen, por edhe rrit nivelet e një atrakcioni jetësor dhe si kundër përmes saj njeriu nuk ka kohë jo vetëm të mendoj për vetëvrasje por udhëhiqet drejt sekseve dhe një rrugëtimi paqedashës, në përmbushjen e të gjitha synimeve në jetësore pa dallime”, deklaroi Kastrati për Gazetën “Enigma”.
Psikologu tha se “dita e parandalimit të vetëvrasjeve transmeton një mesaszh ndërgjegjësues sensibilizues për personat që vuajnë nga çrregullimet mendore, depresive, çrregullimet e ankthit”.
“Duke i qëndruar pran ne shmangim çdo lloj rreziku jo vetëm shëndetësor, por shmangim edhe rreziqet që kanosin shoqëritë si dhuna në familje, drogërat dhe gjërat tjera”, tha ai.
Kujtojmë se Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve është një ditë ndërgjegjësimi që shënohet gjithmonë më 10 shtator çdo vit, me qëllim që të ofrohet angazhim dhe veprim mbarëbotëror për parandalimin e vetëvrasjeve, me aktivitete të ndryshme në mbarë botën që nga viti 2003.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gati 3,000 njerëz në ditë vdesin na vetëvrasja. /Gazeta Enigma/