Paditësja Z.Ç kërkon nga të paditurit S, I, Q dhe V.Çeku vërtetimin e pronësisë në vlerë prej 9 mijë euro, ku i autorizuari i palës paditëse kërkon që të dilet në vendshikim për disa nga ngastrat tjera të shtuara në zgjerimin e padisë.
Sipas padisë, paditësja me të paditurit janë vëllezër dhe motër përkatësisht trashëgimtarët ligjorë të rendit të I-rë, e të babait të tyre I.Ç. Ky i fundit si trashëgimtarë kishte lënë paluajtshmërinë e cila gjendet në ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 286 m2 në vendin e quajtur ‘’Fusha e Thatë’’.
Në seancën e së martës, i autorizuari i paditëses, avokati Mustafë Kastrati, erdhi me propozim që të caktohet ekspertë i gjeodezisë për daljen në vendshikim për ngastrat e cekura në zgjerimin e padisë, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.
Fillimisht, avokati Kastrati deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj e gjithashtu pranë parashtresës të zgjerimit të padisë, ku më pas i njëjti propozoi që të caktohet eksperti i gjeodezisë për shikim dhe identifikim të ngastrave konstesuese.
I autorizuari i palës së paditur avokati Selim Berisha, deklaroi se mbetet pranë kundërshtimeve të deritanishme dhe se sa i përket parashtresës së palës paditëse në të cilën e ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, e kontestoi si të pabazuar, që sipas tij, është e parregullt dhe e paqartë.
Avokati Berisha, gjithashtu e kundërshtoi edhe propozimin e të autorizuarit të paditëses, për identifikimin e ngastrave si të pabazuar për faktin se sipas tij, gjykata para se të vendos për daljen duhet të vendos se a duhet të zgjerohet padia në aspektin objektiv në rastin konkret zgjerimit të padisë në ngastrat e cekura.
‘’Përpos kësaj që është edhe më e rëndësishme në bazë të historikut të këtyre ngastrave kadastrale nëse të njëjtën e shikojmë me vëmendje as ngastra me nr. 45/0 e as 46/3 si ngastër bazë asnjëherë nuk ka qenë e evidentuar në emër të paditurve qoftë edhe të paditurit të parë Sali Qeku’’, tha avokati Berisha.
Tutje i autorizuari i paditëses avokati Kastrati shtoi se kundërshtimi i zgjerimit të padisë, në kuptim objektiv nuk ka të bëjë me referimin i cili i padituri kishte cekur sepse ajo ka të bëjë me zgjerim në kuptim subjektiv, zgjerimi në kuptim objektiv gjithmonë harmonizohet me mendim të ekspertëve sepse me përpara nuk ekziston mënyra ligjore të kryet një precizim i tillë, pretendon avokati Kastrati.
Ai tutje deklaroi se kjo lidhet edhe me kundërshtimet se në emër të kujt kanë qenë dhe janë pronat të cilat paditësja si anëtare e familjes gëzon të drejtën e trashëgimisë dhe askush nuk mund ta përjashtoj dhe këtë çështje se të kujt kanë qenë dhe janë aktualisht pronat.
“E kemi cekur në parashtresë të datës 27/9/2021, duke ju referuar edhe aktvendimeve mbi trashëgimin si dhe gjendjes aktuale të cilën e ka vërtetuar historiati, lidhur me kundërshtimet tjera përkatësisht përkufizimin e ngastër 37, 17/18, i njëjti është i drejtë sepse paditësja si trashëgimtare e kësaj pjese të vërtetuar me daljes e gjykatës në vend ka të drejtë të përkufizoj pjesën që i takon’’, tha avokati Kastrati.
Ai gjithashtu tha se paditësja është e gatshme që të arrij një marrëveshje kompromisi sa i përket trashëgimisë së babait të saj, në mënyre që familjarët e saj ti sigurojnë një strehim që të qëndroj ajo kur vije nga shtetet e jashtme. Nëse janë të gatshëm familjarët e saj për këtë ofertë.
Lidhur me ofertën që i autorizuari i paditëses propozoi, i autorizuari i të paditurve tha se sa i përket çështjes së kompromisit atë mund ta diskutojnë vet palët në seancat e ardhshme.
Më pas gjykata pyet të autorizuarin e paditëses lidhur me ngastrat kadastare 46/3,/5,/7,/8,/18/,19, se në emër të kujt figurojnë të njëjtat pasi që në shkresat e lëndës në bazë të historiatit dhe shkresave të prezantuara të njëjtat nuk figurojnë të paditurve , ku kërkoi që i njëjti të sqaroj lidhur me këtë rrethanë.
Avokati Kastrati deklaroi se sqarimet lidhur me kërkesën e gjykatës qëndrojnë në paragrafin 1 të parashtresës dhe historiatin mbi pronësinë si dhe aktvendimit T.nr. 88/24 që kësaj gjykate në procesverbalin 43/96 po ashtu të kësaj gjykate.
Tutje, gjyqtari i çështjes Besnik Shala, lidhur me propozimin e të autorizuarit të paditëses për zgjerimin e padisë në kuptimin objektiv do të vendosë me vendim të veçantë jashtë seancës e gjithashtu edhe për propozimin për daljen në vend me ekspertë nga ana e gjykatës.
Ndërsa seancën e radhës e caktoi për datë 21 janar të vitit 2022.
Ndryshe sipas padisë së ushtruar me 12 tetor 2018, nga paditësja Z.Ç, kundër të paditurve S, I, Q dhe V Ç, po kërkon vërtetimin e pronësisë në vlerë prej 9 mijë euro.
Nga kjo, paditësja po kërkon ti vërtetohet se është pronare e trashëgimisë së 1/3 të paluajtshmërisë dhe shtëpisë e cila gjendet n ngastrat e lartcekura./Gazeta Enigma/