‘Qeveria e shpresës’, dështon në përmbushjen e agjendës legjislative në Kuvend

‘Qeveria e shpresës’, dështon në përmbushjen e agjendës legjislative në Kuvend

Që nga fillimi i legjislaturës, që nga muaji mars Kuvendi i Kosovës ka pranuar, 98 projektligje, 14 prej tyre ishin marrëveshje ndërkombëtare. Ndonëse kishte planifikuar që t’i dërgoj në Kuvend 186 projektligje, Qeveria vlerësohet të ketë dështuar në këtë pikë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në një përgjigje me shkrim nga Kuvendi i Kosovës, kanë konfirmuar se 18 ligje janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në këtë legjislaturë.

“Deri më 10 dhjetor 2021, nga Qeveria janë proceduar  94 projektligje, 4 projektligje janë propozuar nga Kuvendi (2 nga GP i LVV, 1 GP PDK, 1 GP Multietnik) një projektligj është propozuar nga 10 mijë qytetarë 18 ligje të miratuara. Prej tyre 11 marrëveshje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

E në anën tjetër, Qeveria me të marr mandatin kishte planifikuar dërgimin në Kuvend të 186 projektligjeve për vitin 2021.

KDI: Zgjedhjet lokale ndikon në mos efektivitetin e Kuvendit

Agnesa Haxhiu nga KDI, vlerëson se përkundër legjislaturave të kaluara, në këtë legjislaturë, për shkak të numrave ligjet që kanë kërkuar shumicën e thjeshtë parlamentare kanë kaluar lehtësisht.

“Karakteristikë e kësaj legjislature është që ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë shumica parlamentare nuk e ka pasur problem t’i kaloj, siç kishte probleme në dy legjislaturat e kaluara.  Vetëm në rastet kur është kërkuar vota e 2/3 së deputetëve si në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë deri diku problematik votimi. Mirëpo, edhe opozita në këtë rast ka treguar rol konstruktiv duke i mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare, pa votat e së cilëve do të ishte e pamundur të miratohen”, ka thënë ajo për Gazeta “Enigma”.

Sipas saj problem kyq në këtë legjislaturë, është mos vijueshmëria e rregullt e deputetëve në Kuvend.

“Ajo çka vazhdon me qenë problematike është mungesa e deputetëve në punimet plenare, pra mos vijueshmëria me rregull në punimet e Kuvendit. Mungesat e deputetëve kanë qenë mjaft evidente edhe gjatë këtij viti, gjë që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve dhe ka shkaktuar disa herë dështim të mbledhjeve për shkak të mos prezencës së mjaftueshme të deputetëve në seancë. Ndonëse pritjet për këtë vit nga kjo legjislaturë kanë qenë më të mëdha për shkak edhe të një shumice parlamentare më të konsoliduar në numra, Kuvendi nuk ka qenë edhe shumë efektiv kjo edhe për shkak të ndikimit të madh që kanë pasur zgjedhjet lokale në dinamikën e punës në Kuvend”, është shprehur tutje ajo.

Ndërkohë që nga fillimi i legjislaturës, pra nga marsi e deri tani Kuvendi ka pranuar gjithsej 98 projektligje. Prej tyre, tetë ligje dhe 14 marrëveshje ndërkombëtare i ka miratuar Kuvendi deri tani, ndërsa aktualisht në proceduar në komisione janë edhe tri marrëveshje ndërkombëtare dhe 73 ligje të tjera.

Haxhiu ka theksuar se marrë parasysh se tri javë kanë mbetur në dispozicion për mbylljen e këtij sesioni, është e pamundur sipas saj të përmbushet agjenda legjislative.

“Në versionin më optimist, ky numër mund të rritet deri në 30 ligje. Projektligji për buxhetin është projektligji më i rëndësishëm që miraton Kuvendi brenda një viti kalendarik, dhe projekt-buxheti për vitin 2022 pritet të miratohet në lexim të dytë javën që vjen. Në ndërkohë në procedurë për miratim janë edhe tri marrëveshje ndërkombëtare që besoj që do të arrijnë të miratohen deri në fund të muajit dhe eventualisht ndonjë prej projektligjeve që është në përfundim të shqyrtimit të dytë në komisionin përkatës”, ka potencuar ajo.

Ndërkohë përkundër kritikave që opozita vazhdimisht adresion kundrejt ekzekutivit aktual, për mos efikasitetin e Kuvenit të Kosovës, kryeministri, Kurti e fajësoi pandeminë për këtë gjë.

“Është e vërtetë që për shkak të pandemisë ne nuk kemi arritur që ta përmbushim agjendën tonë legjislative, ajo është një synim i yni që do të bëjmë gjithçka që ta realizojmë pasi që besojmë që është i dobishëm. Mirëpo ka pasur disa faktorë që nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë”, ishte shprehur Kurti në njërën prej seancave parlamentare.

Ndërkohë në mungesë të kuorumit disa herë tashmë kanë dështuar mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.

Seancat parlamentare, në bazë të rregullores së mbarëvjatjes së punës së Kuvendit, po caktohen njëanshëm nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. /Gazeta Enigma.

Related Articles