Derisa po shqyrtohet në lexim të dytë projektbuxheti, në Kuvend ka shpërthyer debat për luftën e Kosovës, në vitin 1999, raporton Gazeta Enigma.
Gjithçka filloi kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk votuan amandamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, për ujin në Skenderaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i ka reaguar deputetit Lushtaku, duke thënë se gjuha e tij dhe krahasimi me regjimin serb të paraluftës, është i papranueshëm.
“Jemi shumë vend i vogël, që të përcahemi me krahina”, ka thënë Avdyli.
Deputeti i LVV-së thotë se është e turpshme që mosvotimi për propozimin e Lushtakut të lidhet me viktimat e luftës, sepse, shton se viktima në luftë ka pasur nga të gjitha rajonet.
“Nuk është vetëm në Drenicë që ka pasur viktima. Ka pasur edhe në Krushë të Madhe, komplet fshati i Krushës së Vogël, krejt burrat e Krushës janë vra. Është në Lybeniq të Pejës, është në Meje, në Slovi të Lipjanit. Cdokund ka pasur viktima”, ka thënë Avdyli.
Deputeti i LVV-së ka thënë se e inkurajon Lushtakun që të flasë për projekte të vendit prej ku ai vjen, por jo me gjuhë, që krijon përçarje.
Ndërsa, deputeti Lushtaku tha në Kuvend se deputetët e LVV-së nuk po e përkrahin një projekt për ujin në Skenderaj, pasi kanë hatërmbetje me rajonin e Drenicës.
Ai tha se LVV-ja ka inate politike me Drenicën, pasi nuk është votuar nga ajo zonë as një zgjedhjet lokale e as në zgjedhjet e përgjithshme.
Lushtaku përmendi regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, duke thënë se edhe atëherë edhe tash është tentuar që rajonit të Drenicës t’i ndalen “ajri, jeta” e tash uji./Gazeta Enigma/