Më 20 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Danimarkën për huazimin e 300 qelive të Kosovës që do t’i jepen në shfrytëzim për 10 vite kësaj të fundit, shkruan Gazeta Enigma.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë përfaqësues nga Mbretëria e Danimarkës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit dhe sipas saj për këtë arsye është përzgjedhur.
“Në qendrën korrektuese do të vendosen 300 të burgosur në një afat 5+5”, deklaroi shkurt Haxhiu, e cila njoftoi se detajet më të hollësishme do të jepen më vonë.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup, ka përmendur mungesën e hapësirave në burgjet e Danimarkës, duke falënderuar Kosovën për mundësinë e zhvendosjes së të burgosurve.
“Sapo nënshkruam një letër qëllimi, ne e shohim si një gurthemel për marrëveshjet e ardhshme. Është një marrëveshje që do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidh një masë të madhe me të cilat përballemi ne në vendin tone”, deklaroi Hakkerup.
Qendra Korrektuese gjendet në Fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit.
Marrëveshja është për të burgosurit me 10 vite dënim nga gjykatat në Danimarkë, në të cilën nuk përfshihen vepra të terrorizmit dhe të personave me probleme mendore.
Pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, si edhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.
Ky projekt synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve në Danimarkë dhe të jap mundësi që burgjet atje të zgjerohen me 326 vende gjatë periudhës kohore 2022 dhe 2025.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion ka bërë të ditur se kostoja vjetore për 300 të burgosur nga Danimarka do të jetë rreth 5 milionë euro.
“Diku 5 milionë euro është kostoja vjetore”, tha ajo. Ministrja më tej tha se ndër arsyet pse Danimarka ka zgjedhur Kosovën është se kanë analizuar raportet ndërkombëtare dhe vendore rreth trajnimit të të burgosurve dhe Kosova në Ballkanin Perëndimor qëndron më së miri në këtë aspekt.
Ajo bëri të ditur edhe atë se si procedohet në rastet kur të burgosurit kryejnë dënimin.
“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”, tha ajo.
Ajo tha se në mandatin e saj të parë në kohën e Qeverisë Kurti 1, ka pasur ftesë nga ministri danez për të komunikuar këtë çështje.
“Pasi u rrëzua qeveria, s’kemi mbajtur asnjë takim më, për faktin e rrethanave”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë gjithashtu se pas qeverisë Kurti 1, qeveria pasuese e drejtuar nga Avdullah Hoti, ka qenë e përfshirë në diskutimet për dhënien me qira të objekteve në strehim të 300 të burgosurve në shtetin e Danimarkës.
Porse, siç dihet marrëveshja nuk ka ndodhur, ndërsa Haxhiu tha se në mandatin e saj të tashëm, është njoftuar për të gjitha procedurat e vijuara dhe në fund marrëveshja është finalizuar duke plotësuar parimet e nevojshme nga të dyja shtetet.
“Pas përgatitjes së negociatave kemi ardhur të një letër – qellim që jemi pajtuar për fuqizim të bashkëpunimit me Danimarkën për shkak të rolit të Danimarkës në Kosovë dhe jemi dakorduar që për shkak se ka nevojë të ndihmojmë në këtë drejtim, përmes një dhënies në shfrytëzim të një qendreje, jemi pajtuar që t’ia ofrojmë qendrën në Gjilan”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se Kosova ka të drejtën të refuzojë ndonjë të burgosur kur konsiderohet se është i dënuar për ndonjë vepër penale që është më e ndjeshme dhe Kodi penal i Kosovës parasheh dënime maksimale.
Haxhiu më tej theksoi se drejtori i Qendrës do të jetë danez, po ashtu edhe stafi menaxhues, ndërkaq oficerët korrektues do të jenë të Kosovës.
Ndërkaq, lidhur me atë se a mund të jetë problem gjuha, ministrja Haxhiu tha se do t’i shohin mundësitë përmes rekrutimit të stafit që njohin gjuhën angleze ose ndonjë gjuhë tjetër, ose përmes përkthyesve.
Po ashtu gjatë raportimit në Kuvend, Haxhiu tha se të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta.
KOSTT paralajmëron krizë energjetike në dy muajt e ardhshëm
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu ka thënë se situata energjetike në vend është e rëndë dhe përveç atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë rrymën, kujdes duhet të kenë edhe qytetarët që shpenzojnë rrymën.
Kadriu thotë se konsumi i energjisë elektrike është në nivele të jashtëzakonshme.
“Në këtë moment diferenca mes prodhimit dhe importit është jashtëzakonisht i lartë. Në kushte normale nuk do të ishte problem, por ngritja e çmimeve në tregun ndërkombëtarë e ka përkeqësuar situatën”, tha ai.
Kryshefi i KOSTT thotë se reduktimet e energjisë janë të domosdoshme për ta ruajtur integritetin e sistemit energjetike dhe për të mos u penalizuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Kadriu thotë se vitet e kaluara në Kosovë nuk ka pasur shpenzim kaq të madh të energjisë elektrike, por sipas tij “për shkak të çmimit të lirë të rrymës, këtë vit edhe qytetarët kanë filluar ta përdorin atë për ngrohje”.
“Shpresojmë që bashkërisht ta kalojmë këtë situatë që do të jetë sfidë për dy muajt e ardhshëm”, deklaroi tutje Kadriu.
“Rrymë pa reduktime” – Rritet interesimi për protestë
E në anën tjetër për reduktimet e rrymës ditëve të fundit në Kosovë janë paralajmëruar dy protesta për të hënën.
Ndërsa njëra nga protestat do të zhvillohet përpara zyrave të KEDS-it në Prishtinë.
Kjo protestë e organizuar nën parullën “Rrymë pa reduktime”, do të mbahet të hënën në ora 13:00.
Deri më tani 384 persona e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë, ndërsa mbi 930 të tjerë janë shprehur të interesuar për aktivitetin protestues.
Protesta tjetër është paralajmëruar që do të mbahet të hënën e 27 dhjetorit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ditëve të fundit në Kosovë janë shpeshtuar reduktimet e rrymës, jo sipas paralajmërimit nga dy orë reduktime, por ato në shumë pjesë të vendit janë katër orë me rrymë, dy p a rrymë, ndërsa në disa pjesë reduktimet energjetike shkojnë deri në 24 orë.
Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës të premten e 24 dhjetorit ka shpallur gjendje emergjente të krizës energjetike në Kosovë duke shpallë masa emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.
Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas vendimit të Qeverisë, ka mbajtur një takim në të cilin ka shqyrtuar propozim-vendimin për masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
“Të detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit”.
“Të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar, vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektive të sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miratuara nga Zyra e rregullatori të Energjisë”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Ndërsa në arsyetim të vendimit, thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.
“Vështirësitë në furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor 2021, për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ dhe njëkohësisht rritje të theksuar të konsumit të energjisë elektrike”.
“Duke pasur parasysh se rreth 85% e konsumatorëve në Kosovë janë konsumatorë shtëpiak, kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm si rrjedhojë e uljes së temperaturave”, thuhet në arsyetim./Gazeta Enigma/