Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur seminari e dytë shkencor, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti me këtë rast ka kujtuar periudhën e shkollës së mesme kur në këtë objekt si gjimnazist ushtronte matematikë.
Përderisa tha se në kohën e studimeve nuk ka pasur mundësi që t’i shfrytëzojnë hapësirat e këtij objekti ngase ishin dëbuar nga regjimi i atëhershëm serb.
Më tej ai sqaroi se ishte kthyer aty më pas për të përfunduar Fakultetin e Elektroteknikës, por që tha se nuk po vëren shumë ndryshime në infrastrukturë, për të cilat tha se shumë shpejt duhet të intervenohet.
“Sot më kaploi nostalgjia teksa ngjitesha shkallëve në të cilën vinim për t’i parë rezultatet e provimeve. Në Fakultetin Teknik kam ardhur shumë më herët si gjimnazist të ushtrohem në matematikë. Kur u bëra student nuk kisha mundësi të vija, sepse në vitin 1991 u patëm dëbuar”.
“Këtu jam rikthyer për të përfunduar Fakultetin e Elektroteknikës. Prandaj jam nostalgjik për shkak se e pashë se enterieri nuk kishe ndryshuar shumë. Hapësira ishte e dikurshme dhe na thërret për përgjegjësi sepse duhet investim më shumë”.
Tutje ai tha se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
“Digjitalizimi është komponent kyç në këtë reformë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit, krijimin në platformë digjitale, përgatitjen mësimore cilësore për klasë, furnizimin e institucioneve me rrjetet e internetit dhe krijimin e mekanizmave institucional. Hulumtimi dhe inovacioni janë të rëndësishëm”.
“Është nënshkruar marrëveshja me BE për punë kërkimore prej 95.5 miliardë euro. Teksa hedhim bazat strategjike një nga orientimet është të kemi qasje të unifikuar ndaj digjitalizimit. Ligji për Identifikimin elektronik është miratuar në Kuvend. Qeveria do të bëjë punën e saj në promovimin e digjitalizimit. Ky seminar është mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku edhe me diasporën si rruga më e mirë drejt zhvillimit”.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti, tha se numri i punimeve shkencore nga Kosova në vazhdimësi është duke u rritur, duke shtuar se kërkohet angazhim i shtuar në këtë drejtim.
“Në kuadër të seminarit të organizuar për herë të dytë, të flasim për punën që është bërë në UP. Numri i hulumtuesve nga Kosova në vende tjera ka qenë tejet i vogël, por tashmë është rritur shumë”.
“Puna në UP kërkon angazhim të shtuar. Rrethanat ekonomike kufizojnë mundësitë në universitete tona të fitojnë rezultate”.
Kadri Sylejmani, prodekan për Kërkime Shkencore dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sot po hapë punimet e seminarit të Inxhinierisë, tha se 17 punime do të prezantohen nga doktorë të shkencave.
“Përpos prezantimeve për tema shkencore me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen, nga ky seminar do të ketë punime të recensionit. 17 punime do të prezantohen nga doktorë të shkencave. Këtë vit po e mbajmë për herë të dytë seminarin shkencor”.
Isak Shabani, dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, tha se për 60 vjet janë përkushtuar të integrohen në arsimin e lartë.
“Fakulteti i Inxhinierisë është pjesë integrale e Universitetit Hasan Prishtina. Që në krijimin e tij është konceptuar si universitet i lidershipit. UP-ja deri më tani ka kaluar tri etapa të rëndësishme e krijimit. Fakulteti i Inxhinierisë për 60 vjet është përkushtuar të integrohet në arsimin e lartë”./Gazeta “Enigma”/