Në prag të ndërrimit të moteve, Federata e Futbollit të Kosovës, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë , ka shpërndarë për qytetarët disa fanella të Kombëtares së Kosovës.
Në dhurimin e këtyre fanellave ishte kryetari i FFK-së, Agim Ademi, se së bashku me futbollistë të Kombëtares e grupin e tifozëve “Dardanët”.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se ky akt vjen si pasojë e mungesës së tifozëve në stadium.
“Sot kemi dalë me lojtarët e Kombëtares nëpër qytet për t’iu uruar gjithë qytetarëve Vitin e Ri dhe për t’iu ofruar sa më shumë ekipin tonë që e ka bërë krenarë këtë popull, por sivjet kemi qenë jashtë stadiumit dhe nuk kanë mundur të jenë prezentë tifozët që t’i mbështesin djelmoshat”.
“Pra këtu janë sot këta djem dhe kanë vendosur që të dalin dhe t’iu dhurojnë fanella tifozëve. Me këtë rast, bashkërisht me anëtarët edhe të “Dardanëve”, me shikuesit, me kryetarin e Dardanëve, po ashtu edhe me këta futbollistë, ju urojmë të gjithë popullit të Kosovës, një vit sa më të mbarë, pa pandemi dhe të jenë sa më shumë në stadiumet tona”, u shpreh Ademi
“Më mars na presin ndeshje, do të kemi edhe trajnerin e ri”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se ky event do të jetë i parvjetshëm.
Ndërsa futbollisti që luan me skuadrën zvicerane, Bazel, Edon Zhegrova, ka thënë se është kënaqësi që të jetë në sheshin e Prishtinës për t’iu dhuruar fanella qytetarëve.
“Është kënaqësi shumë e madhe që kemi dalë këtu në Prishtinë me pa gjithë popullin sepse këta janë ata që na përkrahin çdo ndeshje dhe është knaqësi ne sot me iu dhurua fanella të Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Zhegrova./Gazeta “Enigma”/