Kinematografia kosovare gjatë vitit 2021

Kinematografia kosovare gjatë vitit 2021

Për dallim nga vitet e kaluara, Kinematografia kosovare ka qenë tejet e suksesshme këtë vit.

Duke e nisur me filmin “Zgjoi” i cili i solli Kosovës suksese të panumërta.

Përveç “Zgjoit” kishte edhe filma tjerë ku gjatë rrugëtimit fituan çmime.

Mirëpo, sigurisht se me sukses i prin “Zgjoi” në regjinë e Blerta Bashollit i cili këto ditë u nominua në listën e ngushtë edhe për çmimin “Oscar”.

Filmi “Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj.

Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.

Ky film ka fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”. Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

“Zgjoi” është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

Ndërkohë një film tjetër dal nga Qendra Kinematografike e Kosovës u nderua me dy çmime “Inclusion Edipo Re” dhe “Autoret gra nën 40 vjet në Binealen e Venedikut”.

“Vera andrron detin” është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri.

“Vera andrron detin” është me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Doruntina. Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj.

Gjithashtu një çmim tjetër që ka fituar ky film është edhe Grand Prix / The Governor of Tokyo Award, çmimin kryesor të edicioni të 34-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio.

“Janë disa arsye pse ky lajm më ka emocionuar shumë. E para, Kosova nuk ka qenë kurrë më parë në këtë festival prestigjoz. Pastaj, kryetarja e jurisë – Isabelle Huppert – ka qenë dhe mbetet aktorja ime më e preferuar e të gjitha kohërave. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, kinematografia japoneze ka qenë gjithmonë pikë reference në rritjen time profesionale, andaj ky çmim më nderon tej mase”, tha regjisorja e filmit Kaltrina Krasniqi pas fitores së çmimeve.

“Pa vend” është filmi tjetër nga Samir Karahoda i cili bëri histori duke u nominuar për Çmimin prestigjioz të Akademisë Evropiane të Filmit, i cili nderon arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane. Ky është nominimi i parë për një regjisor nga Kosova i cili do të jetë në garë në mesin e 5 filmave të shkurtër evropian.

“Pa vend” do të konkurrojë për filmin më të mirë evropian të shkurtër si kandidat i Festivalit të Filmit të Kanës me të cilin u shpërblye gjatë muajit korrik në Premierën Botërore.

“Virgjëresha shqiptare” dhe “Luaneshat e Kodrës” janë edhe dy filma tjerë shqip të dalë nga Kinematografia Kosovare.

“Virgjëreshat Shqiptare”nga Bujar Alimani, bashkëprodhuar me Kosovën ka fituar Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike gjithashtu edhe “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami u shpërblye me çmimin ‘FIPRESCI’ që ndahet nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Fimit (Fipresci) për regjisorët nga Evropa Lindore me filmin e parë ose të dytë të gjatë./Gazeta Enigma/

Related Articles