Vendi ynë vazhdon të përballet me raste të shumta pozitive nga COVID-19 dhe Omicron, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’, ka theksuar se “masat anti-COVID duhet të zbatohen në tërë vendin ashtu si janë cekur nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga OBSH dhe CDC”.
Njëherit, ai ka theksuar se “masat anti- COVID nuk janë duke u respektuar fare as nga qytetari dhe as nga institucionet, por as nga organet që duhet zbatuar në luftën kundër pandemisë dhe variantit Omikron, që tani më është prezent jo vetëm në rajon dhe botë, por edhe në vendin tonë”.
Asnjë masë parandaluese nga COVID-19 nuk është duke u respektuar
“Mund ta shihni edhe ju se gastronomia në përgjithësi, qendrat tregtare janë plotë e për plotë të mbushura me njerëz, ku askund nuk respektohen masat anti-COVID”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas tij, “edhe rrugët janë plotë me njerëz pa maska dhe pa distancë, pra ato po i nënqmojnë, dhe kjo ka bërë që tani po shtohen shifrat me raste pozitive me mbi 40 e 60 të infektuar, ku ditë më parë pati edhe raste ku kanë përfunduar me vdekje”.
Kur masat anti- COVID nuk zbatohen, çdo ditë do të kemi rritje të vazhdueshme të rasteve pozitive me COVID-19
“Shifrat me raste pozitive do rriten vazhdimisht, kur masat nuk zbatohen, kur ende nuk kemi numër të madh të administrimit të dozës së tretë dhe asaj përforcuese, e cila duhet të jepet sa më herët që të rritet mbrojtja nga Omicron”, ka thënë Ramadani.
Sipas infektologut Ramadani vaksinimi me dozën e tretë dhe përforcuese është shpëtimi i të gjitha moshave nga Omicron e sidomos i moshave të shtyra.
“Të gjithë duhet të bëjmë sa më shumë që të promovohet vaksina përforcuese, ku prioritet do të kenë moshat e shtyra dhe punëtorët shëndetësorë dhe të gjithë pastaj”, ka thënë ai.
Ramadani: Nuk duhet lënë anash as vaksinimi i fëmijëve nga 5 deri në 11 vjeç
“Edhe mosha 5 deri në 11 vjeç duhet të vaksinohet dhe të mbrohet nga pandemia sa më shpejtë të lejohet edhe në vendin tonë si në shumë vende të botës”, ka theksuar ai.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për qytetarët që të vaksinohen me dozën përforcuese të vaksinës
“Marrja e dozës përforcuese kundër COVID-19 do të thotë më shumë mbrojtje nga infektimi dhe përhapja e COVID-19. Për dozën përforcuese, lajmërohuni në Qendrën më të afërt të vaksinimit, 3 muaj pas dozës së dytë të vaksinës. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen”, kanë thënë nga kjo ministri.
Ndryshe, varianti Omicron vazhdon të mbetet si varianti që po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjithë botën e tani edhe në vendin tonë.
Infektimit me Omicron nuk po i shpëtojnë as ata që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës anti – COVID.
Gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 330 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.674.839 doza të vaksinës.
Deri më tani 783.180 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/