Nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ndrroi jetë të premten në moshën 93-vjeçare, shkruan Gazeta Enigma.
Se a do ta lirojë Gjyakta Speciale për të marrë pjesë në varrimin apo në të pamën e nënës së tij Specialja ka një përgjigje.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep ka thënë se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare.
Ajo ka shtuar se në këtë rast paneli do të vendosë në rast se merr një kërkesë të tillë.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Haga për Gazetën “Enigma”.
Muaj më parë Veseli humbi edhe babanë, teksa është duke u mbajtur i paraburgosur në Gjykatën Speciale në Hagë.
Pas vdekjes së babait, Veselit iu lejua që të vijë në Kosovë në të pamen e babait, teksa mungoi në varrim.
Fazli Veseli vdiq më 7 korrik të vitit të kaluar, në moshën 94-vjeçare.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, Specialja konfirmoi se lirimi i përkohshëm i Veselit për vizitë u bë për arsye bindëse humanitare.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit për ta menaxhuar një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-I dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kishin thënë nga Gjykata Speciale, më 10 korrik të vitit 2021.
Veseli për vizitë në spital tek babi i tij u lirua edhe në maj të vitit të kaluar. Asokohe Veseli për vizitë qëndroi tri ditë.
Kurse, sot në Hagë, Veseli mori lajmin edhe për vdekjen e nënës së tij, Ajshes.
Ajo do të varroset sot (e premte) në fshatin Broboniq të Mitrovicës.
Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./Gazeta Enigma/