Veseli merr ngushëllime të shumta për vdekjen e nënës së tij

Veseli merr ngushëllime të shumta për vdekjen e nënës së tij

Sot në moshën 93-vjeçare ka vdekur, nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli, raporton Gazeta Enigma.

Me rastin e vdekjes së nënës së tij, Veselin e kanë ngushëlluar shumë persona nga skena politike.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ngushëlluar ish kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli për vdekjen e nënës, Ajshe Veseli.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se nëna Ajshe ishte grua e fortë e bujare.

“Në këtë fillimvit, me dhembje të madhe morëm lajmin për vdekjen e nënës së ish-kryetarit Kadri Veseli, nënës Ajshe. Nëna Ajshe ishte grua e fortë e bujare, nënë e një heroi të gjallë, që i rriti e i edukoi bijtë e saj në frymën e atdhedashurisë. Një jetë e tërë me sakrifica, pa kursyer asgjë nga vetja, ku krenaria mposhti mallin për të birin, që në çdo etapë i shërbeu Kosovës. E tillë ishte jeta e nënës Ajshe, e cila i mbylli sytë pa e pasur pranë djalin e saj, Kadriun”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar ish kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli për vdekjen e nënës së tij.

Haradinaj thotë se nëna e Veselit ka kaluar një jetë të tërë në ankth e sfida.

“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e nënës Ajshe. Një jetë të tërë në ankth e sfida, aspak e lehtë për të. Ngushëlloj me këtë rast bashkëluftëtarin tim, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe mbarë familjen e tij! Nëna Ajshe u prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, sot ka vdekur në moshën 93 vjeçare Ajshe Veseli, nëna e Kadri Veselit, ish kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. 

Ndërsa, edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e nënës së Kadri Veselit.

“Nëna Ajshe Veseli na paska lënë sot. Ngushëllime familjes dhe miqve. Pusho në paqe”, ka shkruar Çitaku.

Veç tjerash, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Ajshe Veselit, nënës së ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Lamtumirë nëna heroinë, Ajshe! Të çoftë i lehtë dheu i Kosovës. Ngushëllime familjes Veseli, të afërmve dhe atyre që e njohën”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Ndryshe, me 7 korrik të vitit të kaluar ka vdekur edhe Fazli Veseli, babai i Kadri Veselit, ku ky i fundit nuk mundi të vijë për varrimin e të ndjerit.

Mirëpo, se a do ta lirojë Gjyakta Speciale për të marrë pjesë në varrimin apo në të pamën e nënës së tij, Haga ka një përgjigje.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Haga për Gazetën “Enigma”.

Related Articles