Në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës është varrosur sot Ajshe Veseli, nëna e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, raporton Gazeta “Enigma”.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë shumë familjarë e miq të familjes Veseli.
I pranishëm ishin krerët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kryetari i saj, Memli Krasniqi, tha se ky varrim njëjtë si para gjashtë muajve, bëhet i vështirë pasi nuk është në mesin e tyre edhe ish-kryetari i partisë, Kadri Veseli.
“Na vjen keq për rastin e sotëm, humbjen e nënës Ajshe ka qenë një zojë, një grua e fortë bujare e cila ka reflektuar atë madhështinë të cilën jemi mësuar ta shohim te nënat e saj. Në këtë moment kjo vdekje ky varrim bëhet më i vështirë për faktin se as këtë herë siç ndodhi para 6 muajsh me babin e tij nuk ishte në mesin tonë miku ynë, kryetari Kadri Veseli. Kjo e bënë edhe më të dhimbshme këtë rast, gjithsesi ne shpresojmë që edhe kjo betejë e fundit tepër e rëndësishme me të cilën po ballafaqohet ai dhe bashkëluftëtarët e tij, është çmim i lartë por do të jetë beteja që do ta vulos drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
E Hysni Veseli, djali i mixhës së Kadri Veselit, tha se nuk kanë informacione nëse e kanë lajmëruar Kadri Veselin. Ai me këtë rast ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në këtë varrim.
“Ju e dini që Veseli është në paraburgim, dhe nënkupton kufizim të lirisë, nuk kemi informacion për këtë çështje. I falënderoj të gjithë qytetarët të cilët kanë qenë për nderimin që janë kanë bërë nënës Ajshe. ajo ka qenë një gjeneratë e luftës së dytë botërore faktikisht ne po e hupin edhe këtë gjeneratë, për neve ka qenë një krenari. Nënat tona nuk kanë qenë nëna as të as të interesave, kamerave e të fjalimeve, por ka qenë nëna që na kanë eduku, kanë kultivua dashuri shumë përkujdes për fëmije dhe atdhedashuri. Ju falënderoj juve dhe qytetarët që bashkëndjejnë me mungesën e z. Veselit që sigurisht është më emocionuese për arsye se ai padrejtësisht mbahet atje edhe natyrisht se ne e dijmë edhe rrethanat të cilat është kalit dhe është shkollu z. Veseli edhe veprimtaria atdhetare”, ka thënë ai.