Shqetësues vazhdon të mbetet numri i personave që kryejnë vetëvrasje në Kosovë.
Vetëm për shtatë muaj numrat kanë kaluar dyshifrorin. Janë 25 persona të cilët ia kanë marrë vetes jetën. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, bazuar në statistikat e Policisë pati rënie sa u përket tentim-vrasjeve.
Derisa në vitin 2020 ishin 101 persona që tentuan të vetëvriten, në vitin e kaluar tentim për t’i dhënë fund jetës kishin bërë 84 qytetarë.
Por, pse po ndodhin vetëvrasjet në Kosovë?
Psikologu Memli Gollopeni e jep një arsye. Sipas tij, mungesa e trajtimeve të duhura është njëri prej shkaktarëve.
“Për fat të keq në vendin tonë shumë pak punohet në ruajtjen e shëndetit mendor dhe rastet që kanë përfunduar me fatalitet janë krejt për shkak të mungesës së duhur të trajtimit të atyre personave. Parandalimi mund të arrihet përmes promovimit më të madh të shëndetit mendor dhe promovimin e rolit të psikologut si faktor ndikues në parandalimit të vetëvrasjeve përmes teknikave dhe këshillimeve”, u shpreh Gollopeni.
Kurse ka thënë se vetëvrasjet mbesin ende enigmë për shumë studiues.
Ai përmend edhe disa faktorë, të cilët ndikojnë te personat që kanë kryer vetëvrasje.
“Vetëvrasja si fenomen ende është enigmë për shumë studiues të kësaj çështjeje, mirëpo ka disa faktorë që gërshetohen deri tek vetëvrasja e ato janë: Kushtet e dobëta ekonomike, pritshmëritë e larta jo në përputhje me realitetin, mos arritje e qëllimeve në jetë, mos të qenit të kënaqur me atë që kemi, e shumë faktor të tjerë”, tha ai.
Gollopeni deklaron se qytetarët e Kosovës e kanë problem vizitën tek psikologu, derisa thotë se kjo gjë duhet të ndryshohet tek gjeneratat e reja.
“Mos të qenurit në gjendje që të sigurohet ekzistenca për një jetë mesatare ka pamundësuar që të zhvillohemi në këtë drejtim, që të vetëdijesohemi për rëndësinë dhe rolin e psikologut. Për fat të keq qytetarët e vendit tonë shumë pak konsultohen me psikologun ndoshta edhe për shkak të mentalitetit që na duhet shumë punë për ta ndryshuar që së paku gjeneratat e reja mos ta kenë këtë problem”, përfundoi ai për Frontonline, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Në Kosovë në vitin 2018 kanë ndodhë 37 vetëvrasje, në vitin 2019 kanë qenë 31, deri sa në vitin 2020 u shënuan 40 vetëvrasje./Gazeta “Enigma“/