Institucionet e Kosovës po vazhdojnë me aksionin për konfiskimin e mjeteve për prodhimin e kriptovalutave, shkruan Gazeta Enigma.
Ky vendim është marrë pasi Kosova po përballet me krizë të energjisë elektrike, derisa dihet se këto mjete shpenzojnë shumë energji elektrike.
Edhe zyrtarët e qeverisë kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kriptovalutat, shpenzojnë shumë energji elektrike.
Nga Dogana e Kosovës thanë se do të konfiskohet çdo pajisje e cila është pa dokumentacion.
“Secila pajisje apo produkt që është në Kosovë dhe nuk ka procedura doganore, pra nuk është i zhdoganuar, automatikisht i nënshtrohet konfiskimit”, thanë Doganat e Kosovës.
Këta të fundit nuk kanë sqaruar se çfarë do të ndodhë me konfiskimin e këtyre mjeteve.
Sipas Kodit Doganor dhe Akcizave në Kosovë, nëse një person juridik apo fizik sjell në mënyrë të fshehur mallin në Kosovë, ai mall do të konfiskohet.
“Ai mall mund t’i kthehet pronarit apo kryesit të shkeljes administrative doganore, sipas kërkesës, në qoftë se është fjala për mallin, për të cilin janë plotësuar kushtet e importit dhe me kusht që paraqitësi i kërkesës paguan vlerën e mallit dhe detyrimet importuese”.
Ndërsa, Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregëti në Kuvendin e Kosovës thotë se janë mbi 10 mijë persona që investojnë në këto mjete për prodhimin e kriptovalutave.
“Grupi punues ende nuk e ka përfunduar punën e tij dhe jemi në pritje që në sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës të vazhdojmë me punë sa i takon projektligjit për kriptovaluatat”, thotë Shala.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nësë ato mjete lihen të punojnë pa ndërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kilovatë energji elektrike në muaj.
Sipas tij, kjo mund të krahasohet me shpenzimin e energjisë elektrike nga 500 shtëpi.
Ndërsa nga KOSTT-i kanë konfirmuar rritjen e konsumit të rrymës në veri në periudhën 2018-2022.
“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në pjesën veriore të vendit në vitin 2019, në raport me vitin 2018, ka qenë 8%; rritja e konsumit në vitin 2020 në raport me vitin 2019 ka qenë 13%. Gjithashtu, në vitin 2021 konsumi i energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë për 13% më i lartë sesa në vitin paraprak”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it. /Gazeta Enigma/.