Liverpool ka fituar me rezultat të pastër 3-0 kundër Brentford duke marrë pozitën e dytë në Premier Ligë. Autorë të golave kanë qenë Fabinho (44), Oxlade-Chamberlain (69) dhe Minamino (77) për Liverpool. Kjo fitore e ngrit në vendin e dytë Liverpool me 11 pikë më pak se City, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Liverpool nuk ka pasur problem në Anfield Road sonte në ndeshjen kundër Brentford. Që në fillim të ndeshjes, djemtë e Jurgen Klopp e kishin situatën në dorë dhe vazhdimisht bënin presion në drejtim të portës mysafire.
Trent-Arnold e pati rastin e parë në këtë ndeshje në minutën e 14-të, por goditja e tij përfundoj pak mbi portën e portierit të Brentford.
Por, rasti më i mirë për Liverpoolin do të vinte në minutën e 23-të ku Van Dijk goditi por ishte portieri Alvaro Fernandez që bëri një pritje spektakulare.
Sfida do të zhbllokohej në minutën e 44-të. Pas krosimit nga goditja e këndit e Trent-Arnold më së miri në zonë u gjend Fabinho duke shënuar golin e epërsisë për Liverpool një minutë para se të përfundonte pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Brentford do të kishte rastin e parë për të shënuar, një rast ideal ky në minutën e 59-të. Bryan Mbeumo gjeti një hapësirë në zonë, goditi por topi përfundoi shumë afër shtyllës së Alisson.
Goli i sigurisë për Liverpool do të vinte në minutën e 69-të.
Andrew Robertson depërtoi nga këndi i majtë, krosoi dhe në zonë gjeti Alex Oxlade Chamberlain që shënoi po ashtu me kokë.
Goli i tretë, i fundit në këtë ndeshje, erdhi në minutën e 77-të ku realizator do të ishte Minamino.
Tërë ky gol erdhi pas një kombinimi në mes të tij dhe Firminos e ku Firmino pasoi për të dhe japonezi gjeti golin e tretë.
Kjo fitore e ngrit Liverpool në vendin e dytë me 45 pikë, derisa Brentford mbetet në vendin e 14 me 23 pikë, 10 më shumë se zona e rrezikshme për të rënë nga Premier Liga.