Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë ishte pjesëmarrës në Akademinë e Flakës 2022 në kuadër të 31 vjetorit të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit” të mbajtur në qytetin e Gjilanit, raporeton Gazeta ‘Enigma’.
“Janari është muaji i dhembjes në historinë shqiptare”, kështu e filloi fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti në kuadër të Akademinës së Flakës 2022.
Ai përmendi vdekjen e heroit kombëtar Skënderbeut më 1468, vrasjen e Isa Boletinit 1916, vdekjen e Ismail Qemajlit 1919, rënien e Rexhep Malës e Nuhi Berishës 1984, masakrën e Reçakut 1999, që të gjitha kishin ngjarë në muajin janar.
Por Flaka e Janarit, është jo vetëm përkujtimi i dhembjes për humbjen e heronjve tanë në luftën për liri, por njëherit është edhe drita e flakës që ndriçon rrugën e brezit tonë dhe brezave që do të vijnë për një të ardhme të ndritur të Atdheut tonë, tha Kurti.
“Si pasardhës të gjeneratave të tëra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet shqiptare, vazhdimisht marrim energji nga zjarri i mbajtur ndezur me jetën, veprën dhe vdekjen e tyre nga Gjon Sereçi, Metush Krasniqi e i madhi Adem Demaçi me shokë dhe shumë prijatarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim dritë nga Flaka e Janarit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit, Nuhiut, Zijahut, Bajramit, Afrimit, Fadilit e mijëra veprimtarëve të rënë në epoka të ndryshme deri te Lufta Çlirimtare e Adem Jasharit dhe UÇK-së dhe mijëra dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës”, shtoi më tej ai.
Duke marr si shembull aktivitetin e Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në botën e jashtme demokratike përmes së cilit njoftohej opinionin ndërkombëtarë për shtypjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ai foli për rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare e cila po shndërrohej në një forcë të madhe me potencial politik, ekonomik, e intelektual për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Lëvizje kjo që kulmoi me rolin vendimtar për përgatitjen, furnizimin dhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë më 1998 dhe 1999.
Amaneti i Rilindësve se vetëm bashkimi i penave dhe pushkëve e sjell lirinë e popullit, për herë të parë u realizua në trojet shqiptare nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me shokë, u shpreh kryeministri.
Bashkë me përkujtimin për Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sot dhe përgjithmonë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato bija e bij, gra e burra, vajza e djem, që me jetën e tyre e mbajtën të ndezur flakën e Lirisë ndër shekuj.
Ne duhet të mësojmë nga jeta, vepra dhe betimi i tyre për atdheun, prandaj të gjithë qytetarë të thjeshtë dhe bartës të funksioneve shtetërore, duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë tha në fund kryeministri Kurti.
Më pas kryeministri Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyeni vizitoi edhe ekspozitën kolektive të artit pamor në kuadër të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”./Gazeta Enigma/