Policia e Kosovës ka njoftuar se të premtën në orët e mëngjesit janë arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit kanë dëmtuar një aparat kafeje dhe kanë vjedhur para nga aty.
“Sot, rreth orës 03:30, zyrtarët e stacionit policor Qendra në Prishtinë, kanë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për vjedhje të rëndë. Menjëherë pas informatës, se në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, dy persona kanë dëmtuar një aparat kafeje dhe po tentojnë të merrnin parat nga aty, zyrtarët e stacionit Qendra, kanë reaguar shumë shpejtë dhe në vendngjarje kanë arrestuar personat e dyshuar: L.H, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Xh.S, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës të cilëve u janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e parave ( dyshohet të vjedhura në këtë rast)”, ka bërë të ditur policia.
Njëri preji të dyshuarve është dërguar në mbajtje, ndërkaq tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
“Hetuesit policor po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale, ndërkohë që, personat e dyshuar, janë proceduar sipas vendimit të prokurorit, L.H është dërguar në mbajtje, ndërsa Xh.S, është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia./Gazeta Enigma/