Kryeministri Albin Kurti ka pritur të premten në takim shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ku sipas njoftimit të kryeministrisë temë diskutimi midis tyre ishte edhe referendumi i Serbisë të cilin qeveria e Kosovës s’e lejoi të zhvillohet në Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”.
“Temë diskutimi e takimit ishin të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit, e çështjet e sigurisë dhe qeverisja e mirë. Në takim u adresuan edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe mbështetja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si dhe gatishmëria e OSBE-së për të ndihmuar Zyrën e Kryeministrit dhe qeverinë në fushat me interes të përbashkët. Kryeministri Kurti falënderoi z. Davenport për komunikimin e vazhdueshëm, përfshirë këtu edhe situatën me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se diplomati amerikan, Michael Carpenter, i cili shërben si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në një deklaratë për referendumin e Serbisë që s’u lejua të mbahet në Kosovë, ka paralajmëruar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë për ta gjetur një model se si do të mund të votohej në të ardhmen në zgjedhje.
Në deklaratën e Carpenter të dorëzuar në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, thuhet se presin të diskutojnë me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Serbisë për ta gjetur një zgjidhje për këtë çështje. / Gazeta Enigma.