Bekim Isufi dhe Arben Zeqiri tregojnë se a janë të gatshme skuadrat kosovare për fillimin e sezonit pranveror

Bekim Isufi dhe Arben Zeqiri tregojnë se a janë të gatshme skuadrat kosovare për fillimin e sezonit pranveror

Sezoni pranveror në Superligën e Kosovës në futboll do të nisë të shtunën.

Lideri i Superligës, Gjilani, sezonin pranveror do ta nisë ndaj Drenicës, ndeshje e cila do të luhet në Skenderaj nga ora 13:00.

Gazeta Enigma ka biseduar me analistët dhe trajnerët e futbollit Bekim Isufin dhe Arben Zeqirin për fillimin e sezonit pranveror.

Analisti dhe trajneri i futbollit, Bekim Isufi, ka thënë se klubet që synojnë daljen në Europë dhe titullin e kampionit kanë presion më shumë. Ai e ka përjashtuar Dritën nga ky presion duke thënë se skuadra gjilanase karakterizohet për qetësinë që e ka.

“Një garë interesante do të jetë në këtë kampionat duke e marrë parasysh edhe tri ekipet të cilat në dallim në pikë edhe në kualitet janë shumë pak. Por presioni edhe njëherë po e them është për këto ekipe që e kanë me çdo kusht daljen në Europë apo titullin e kampionit, gjë e cila te Drita nuk ekziston dhe ndoshta që e karakterizon edhe Dritën për shkak të qetësisë të cilën e ka”, ka thënë Isufi për Gazetën Enigma.

Isufi ka thënë se ekipet janë të gatshme për fillimin e sezonit në aspektin fizik dhe atë psikologjik. Ai ka shtuar se shkaku që e njohin mirë njëra-tjetrën i ka edhe disavantazhet e veta.

“Mendoj që klubet janë të gatshme duke e pasur parasysh edhe një gjysmë stinor ku nuk kanë pasur shumë lëvizje dhe në përgjithësi ekipet nuk kanë bërë shumë ndryshime duke mos e ndryshuar grupin e lojtarëve, kështu që vetëm se janë në nivelin më të mirë në aspektin fizik dhe psikologjik duke marrë parasysh se janë takuar dy herë me kundërshtar dhe e njohin mirë njëri-tjetrin, kjo ka përparësitë dhe ka disavantazhet, kështu që në këtë aspekt duhet të qëndrojnë mirë”, ka vlerësuar ai.

Ish-trajneri i Ballkanit, ndeshjen Drenica – Gjilani e konsideron si përballjen më interesante të xhiros së 19-të në Superligë ne Kosovës. Isufi shprehet se Drenicës po i mungon konkretizimi në fazën e sulmit, ndërsa ai thotë se nëse Gjilani triumfon në këtë ndeshje do të vazhdojë në rrugën e duhur drejt titullit të kampionit.

“Derbi Drenica – Gjilani është ndoshta edhe derbi më interesant duke marrë parasysh ndeshjen e fundit, Drenica ndoshta pati formën dhe tregoi futbollin më të mirë, por i mungon finalizimi dhe rezultati. Futbolli luhet për rezultat. Gjilani ka përvojën ka kualitetin nëse e kalon këtë pengesë është në rrugën e duhur për shkak se duke marrë parasysh se kundërshtarët të cilët luajnë edhe Ballkani luan si vendas, por edhe Drita që pritet të jenë të favorizuara në fillim të kampionatit”, ka thënë ai.

“Vetëm fillimi është, ato ekipe të cilat do ta kenë qetësinë dhe përvojën ato do të kenë edhe vazhdimësinë për t’i arritur objektivat e tyre”, ka përfunduar Bekim Isufi.

Bekim Isufi

Analisti dhe trajneri i futbollit Arben Zeqiri thotë se kampionati do të jetë interesant me skuadra si Gjilani, Drita, Ballani, Llakpi dhe Prishtina që e synojnë titullin e kampionit.

“Mendoj që kampionati do të jetë shumë interesant në pranverë, sidomos këto pesë që pretendojnë titullin Gjilani, Drita, Ballkani, Llapi dhe Prishtina. Gara do të jetë shumë interesante, shumë rivalizuese edhe definitivisht e pakjartë deri në fund”, thotë analisti dhe trajneri i futbollit Arben Zeqiri për Gazetën Enigma.

Ish-futbollisti i Gjilanit thotë se ekipet janë të gatshme për sezonin pranveror. Ai shton se vëmendje të madhe do të ketë Ballkani me trajnerin e ri Ilir Daja.

“Sigurisht që të gjitha ekipet janë të gatshme edhe pse nuk kanë pas shumë prurje me që kanë qenë të kushtëzume ne afatin kalimtar sidomos Gjilani që e ka pas të bllokum por këto ekipet tjera nuk kanë bërë lëvizje, Drita ka liru dy, tre futbollist, Prishtina gjithashtu derisa Ballkani ka sjellë Dellovën e edhe trajnerin Daja. Ta shohim do të jetë interesant sidomos se si do të luaj Ballkani me Dajën, Ballkani i cili viteve të fundit tregon një jostabilitet në menaxhimin e ekipit dhe me çdo kusht tenton rezultatet duke i ndërru trajnerët gjë që për mu është joprofesionale dhe e papranueshme”, thotë Zeqiri.

Sipas Zeqirit, skuadrat janë të gatshme fizikisht për fillimin e sezonit pranveror, për shkak të përgatitjeve parasezonale që i kanë zhvillua jashtë vendit.

“Kujtoj që të gjitha ekipet janë të gatshme me që 10 ekipe, tetë prej tyre janë përgatit në Antali të Turqisë në kushte optimale për punë, në temeperatura ideale, kështu që nuk dyshoj që jan fizikisht të përgatitura edhe që janë ambientu tash me klimën në Kosovë”, thotë ai.

Edhe Zeqiri ashtu si Bekim Isufi, ndeshjen më të rëndësishme të kësaj xhiroje e konsideron Drenica – Gjilani.

“Xhiroja e 19-të do të jetë shumë interesante sidomos nesër ndeshjet Drenica – Gjilani edhe Llapi-Ulpiana me që Llapi do të luaj në terrenin vendës e që për mendimin tim do të bëjë futboll shumë të bukur me që i garanton ekipi që e ka, i ri me shumë potencial fizik edhe teknik në një fushë ideale por mbetet të shihet përgjatë rrugës se cila prej ekipeve do të gaboj sikurse kanë gabu në vjeshtë kështu që presim kampionat interesant, fat, shëndet dhe të gjitha të mirat futbollistëve, klubeve dhe realizim të objektivave të tyre”, thotë ai.

Arben Zeqiri

Të shtunën do të zhvillohen tri ndeshje, Drenica – Gjilani, Drita – Feronikeli dhe Ballkani – Dukagjini.

Të gjitha këto ndeshje do të nisin nga ora 13:00.

Kurse, të dielën do të luhen dy ndeshje, Malisheva – Prishtina dhe Llapi – Ulpiana. Këto ndeshje nisin nga ora 13:00.

Pas 18 xhirove, SC Gjilani mbetet lider i Superligës me 35 pikë, një pikë më shumë se Drita që është në vendin e dytë, kurse Ballkani në vendin e tretë me 33 pikë./GazetaEnigma/

Related Articles