Kurti deklarohet për 17 takimet e realizuara me lider botëror në Mynih

Kurti deklarohet për 17 takimet e realizuara me lider botëror në Mynih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet në Mynih, derisa ka zhvilluar 17 takime bilaterale dhe biseda me liderë e përfaqësues politik nga Evropa dhe bota.

“Për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik”, shkroi Kurti.

“Kurse bashkë me presidenten Vjosa Osmani Sadriu, takuam kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuam rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve tona”.

Për takimet ndarazi që pati me kryediplomatin evropian, Josep Borell, dhe përfaqëuesin special për dialog, Mirosllav Lajçak, Kurti thotë se diskutoi për procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë.

“Ndërkaq në takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn kërkuam dhe morëm premtim për më shumë mbështetje financiare dhe teknike në fushën e arsimit dhe punësimit të të rinjëve”, vazhdoi ai.

“Po ashtu takuam ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, një prej shteteve të para të Lindjes së Mesme që kanë njohur Republikën tonë, Ayan Safadi dhe ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir. Të gjithë i falënderuam për marrëdhëniet e mira dhe i shkëmbyem zotimet tona për përparimin e tyre”.

Ndërsa me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti njoftoi se kanë takuar senatoren amerikane të shtetit të Iowa-s, Joni Ernst, të cilës i shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga ShBA.

“Me zëvendëskryeministren Gërvalla zhvilluam takime dhe me udhëheqësit e subjekteve politike gjermane, kryesuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, me kryetarin e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour”, shkruan më tej Kurti në përmbledhje. /Gazeta Enigma/.

Related Articles