Dy trajnerët e njohur të futbollit, Roberto De Zerbi dhe Mircea Lucescu kanë vendosur të qëndrojnë në Kiev përkundër luftës që nisi sot në Ukrainë.
Vladimir Putin e urdhëroi ushtrinë të futet ushtarakisht në Ukrainë me një operacion special militar në mëngjesin e sotëm.
Ish-trajneri i Sassuolos, Roberto De Zerbi është njëri nga italianët e rrallë që kanë mbetur në Ukrainë.
Ai ishte kthyer në Kiev vetëm pak ditë më parë pasi e mbylli fazën përgatitore me Shakhtar Donetskun në Turqi.
Stafi i tij dhe ai thuhet se janë ngujuar në Kiev në hotel me disa lojtarë të ekipit.
Ata i kanë dëgjuar eksplodimet që nga ora 5 e mëngjesit dhe nuk mund të kthehen në shtëpi për një kohë pasi Ukraina e mbylli hapësirën ajrore për fluturimet civile.
Liga elitare ukrainase u shty për së paku 30 ditë edhe pse planifikonte të rifillonte këtë fundjavë pas pushimit dimëror.
Edhe trajneri i Dinamo Kievit, Mircea Lucescu po qëndron në Ukrainë.
“Të gjitha aktivitetet sportive në Ukrainë janë suspenduar për 30 ditë. Nuk dua të largohem nga Kievi për t’u rikthyer në Rumani. Nuk jam një frikacak. Shpresoj që këta njerëz pa tru ta ndalin luftën, nuk e mendoja se kjo do të ishte e mundshme”, ka thënë ish-trajneri i Interit dhe i Brescias.
Sportistët vendorë dhe ata të huaj në Ukrainë janë ngujuar në shtëpitë e tyre ose në hotele, për të qëndruar më të sigurt pas sulmeve të sotme ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.